Çmimet e importit shënuan ngritje për 0.9 për qind
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Importit (IÇIMP) për tremujorin e dytë (TM2) 2018.Indeksi i tërësishëm i çmimeve të importit në Kosovë u ngrit për 0.9 për qind në TM2 2018, krahasuar me TM1 2018.
“Ngritje më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve ishin te: produktet minerale (6.8 për qind); druri dhe artikujt e drurit (4.2 për qind); lëkura dhe artikujt prej saj (3.1 për qind); mjetet e transportit (1.5 për qind); plastika, kauçuku dhe artikujt prej tyre (1.3 për qind); artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit (1.0 për qind); produktet e industrive kimike (0.7 për qind); instrumentet optike, fotografike, matëse, madicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës (0.6 për qind); pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike (0.4 për qind); dhe artikujt ushqimor të përgatitur, pijet dhe duhani (0.2 për qind)”, është bërë me dije në njoftimin e ASK-së.
Sipas ASK-së, ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: tekstili dhe artikujt e tekstilit (-2.9 për qind); produktet bimore (-2.8 për qind); metalet bazë dhe artikujt prej tyre (-2.5 për qind); artikujt e ndryshëm të prodhuar (-2.5 për qind); këpucët (-0.9 për qind); vajrat ushqyese (-0.7 për qind); shtazët e gjalla dhe prodhimet prej tyre (-0.3 për qind); dhe letra dhe artikujt prej saj (-0.2 për qind).
“Ndërkaq, krahasuar TM2 2018 me TM2 2017 çmimet e importit u ngritën në një mesatare prej 2.4 për qind. Ngritje më të mëdha sipas sektorëve ishin te: produktet minerale (15.8 për qind); metalet bazë dhe artikujt prej tyre (6.2 për qind); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (4.5 për qind); druri dhe artikujt e drurit (3.7 për qind); mjetet e transportit (1.2 për qind); dhe tekstili dhe artikujt prej tij (0.9 për qind)”, është thënë në njoftimin e ASK-së, duke u shtuar se ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: këpucët (-12.2 për qind); lëkura dhe artikujt e saj (-7.4 për qind); letra dhe artikujt e saj (-6.6 për qind); artikujt e ndryshëm të prodhuar (-4.5 për qind); instrumentet optike, fotografike, matëse, madicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës (-3.7 për qind); shtazët e gjalla dhe prodhimet e tyre (-1.8 për qind); prodhimet bimore (-1.7 për qind); pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike (-1.6 për qind); artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani (-1.2 për qind); dhe vajrat ushqyese (-0.9 për qind).