Çmimet e konsumit shënojnë rritje për 0.5 për qind
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin janar 2021, viti bazë 2015=100.
Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit, sipas ASK-së ishte 0.5 për qind në muajin janar 2021. “Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.5 për qind në muajin janar 2021, krahasuar me muajin dhjetor 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (0.7 për qind); pemë (0.9 për qind); perime (6.1 për qind); pije alkoolike (1.7 për qind); duhan (0.8 për qind); përdorim i pajisjeve për transportin personal (3.7 për qind) – “ngritje e çmimeve të naftës dhe benzinës”, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.8 për qind në IHÇK”, është thënë në raportin e ASK-së.
Sipas këtij raporti, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (-0.5 për qind); energji elektrike (-10.5 për qind) – zbritja e çmimit të energjisë elektrike ka ardhur nga zbatimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, Covid -19, Nr. 07/L-016, Neni 15, për periudhën janar – maj 2021, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3 për qind) në IHÇK. “Norma vjetore e inflacionit, e matur në muajin janar 2021 me muajin janar 2020, ishte (-0.2 për qind). Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej (-0.2) për qind në muajin janar 2021, krahasuar me muajin janar 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-13.4 për qind); perime (-8.4 për qind); veshje (-3.4 për qind); energji elektrike (-10.8 për qind); qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (-4.3 për qind); blerje e automjeteve (-1.4 për qind); përdorim i pajisjeve për transportin personal (-9.9 për qind) – “rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës”, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.9) për qind në IHÇK”, është thënë në raport.
Sipas ASK-së, ngritje e çmimeve në këtë periudhë vërehet te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (2.6 për qind); mish (0.6 për qind); qumësht, djathë dhe vezë (3.2 për qind); vajra dhe yndyra (7.3 për qind); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (2.3 për qind); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.7 për qind); pije alkoolike (2.2 për qind); duhan (2.8 për qind); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (2.6 për qind); produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (2.3 për qind); shërbime për transport (2.3 për qind) – “ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror”, shërbimet telefonike dhe të telefaksit (20.3 për qind); shërbime hoteliere (1.6 për qind); kujdes personal (1.1 për qind), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.7 për qind në IHÇK.