Çmimet e konsumit shënuan rritje për 0.7 për qind

11 mars 2021 | 15:39

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin shkurt 2021, viti bazë 2015=100.

 Sipas ASK-së, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.7 për qind më i lartë në muajin shkurt 2021, sesa në muajin janar 2021. “Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemë (4.8 për qind); perime (7.6 për qind); duhan (1.5 për qind); veshje (2.0 për qind); përdorim i pajisjeve për transportin personal (2.0 për qind) – “ngritje e çmimeve të naftës dhe benzinës”, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.7 për qind në IHÇK”, është thënë në raportin e ASK-së.

Sipas ASK-së, norma vjetore e inflacionit, e matur në muajin shkurt 2021, me muajin shkurt 2020 ishte 0.7 për qind.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 0.7 për qind edhe në muajin shkurt 2021, krahasuar me muajin shkurt 2020”, është thënë në raport.

Sipas ASK-së, kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (2.6 për qind); mish (0.4 për qind); qumësht, djathë dhe vezë (3.6 për qind); vajra dhe yndyra (8.6 për qind); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.7 për qind); pije alkoolike (2.9 për qind); duhan (4.4 për qind); veshje (1.5 për qind); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj., (3.0 për qind); pajisje shtëpiake (3.3 për qind); produkte farmaceutike (3.9 për qind); shërbime për transport (3.5 për qind) “ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror”, shërbime telefonike dhe të telefaksit (20.3 për qind); pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (2.3 për qind); shërbime hoteliere (0.9 për qind); kujdes personal (1.8 për qind); shërbime financiare (4.2 për qind), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.9 për qind në IHÇK.

Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-10.0 për qind); perime (-4.1 për qind); energjia elektrike (-10.8 për qind) – [zbritja e çmimit të energjisë elektrike ka ardhur nga zbatimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike COVID -19, Nr. 07/L-016, neni 15, për periudhën janar – maj 2021]; blerje e automjeteve (-1.0 për qind); përdorim i pajisjeve për transportin personal (-6.5 për qind) – “rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës”, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.2) për qind në IHÇK.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu është shprehur mjaftë i lumtur…