Çmimet e naftës stabile, investitorët presin fjalimin e shefit të FED-it
Çmimet e naftës po ndryshojnë minimalisht gjatë sesionit të sotëm, ndërsa investitorët po presin fjalimin e presidentit të Rezerës Federale (FED), Jerome Powell.
Në mbyllje të sesionit të sotëm, dy kontratat pritet të publikojnë fitime për të dytën javë me radhë.
Nafta po shfaqet e qëndrueshme gjatë sesionit të sotëm, ndërsa Brenti i Londrës vijon të tregtohet mbi 60 dollarë për fuçi.
Ulja e furnizimit nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës ka zbehur efektet e ngadalësimit të ekonomisë globale. Gjithashtu, investitorët janë në pritje të fjalimit që do të mbajë presidenti i Rezervës Federale, Jerome Powell.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 60.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 55.6 dollarë për fuçi. Të dyja kontratat pritet të publikojnë fitime javore për të dytën javë me radhë. Shefi i Rezervës Federale, Jerome Powell, gjatë fjalimit që do të mbajë në samitin e Jackson Hole, pritet të sinjalizojë se kur do të vijë rritja e radhës e normave të interesit, shkruan “scantv”.
Pritshmëritë e investitorëve për një lehtësim tjetër të politikave monetare u zbehën nga komentet e një zyrtari të Rezervës Federale, i cili tha se nuk shikon arsye për një ulje tjetër të interesave.
Çmimet e naftës publikuan humbje gjatë korrikut dhe të njëjtën gjë pritet të bëjnë edhe gjatë gushtit, nëse nuk do të ketë ndonjë zhvillim të paparashikueshëm.
Disa ditë më parë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë dhe OPEC ulën parashikimin për rritjen e kërkesës gjatë këtij viti, për shkak të rreziqeve që i kanosen ekonomisë globale nga lufta tregtare SHBA-Kinë.
Gjithsesi, ulja e prodhimit nga vendet anëtare të OPEC dhe nga Rusia, si dhe reduktimi i eksporteve nga Irani dhe Venezuela po vijojnë të mbështesin çmimet.