Çmimet e prodhimeve blegtorale shënuan rritje për 3.09 për qind
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e tretë (TM3 2020) ( 2015 =100).
ASK-ja ka bërë ndërrimin e vitit bazë të indeksit nga 2010=100 në 2015=100 sipas metodologjisë së Eurostatit.
Sipas ASK-së, ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.
“Prodhimet, të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë”, është thënë në njoftimin e ASK-së, duke u shtuar se në tremujorin e tretë të vitit 2020, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 3.09 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për (-1.36 për qind). “Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 2.98 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019”, është thënë në njoftimin e ASK-së.