Çmimi i Madh i Monzës, edhe 5 vite të tjera në Formulën 1
Italia do të vazhdojë të jetë në kalendarin e Botërorit të Formulës 1 edhe për 5 vite të tjera.
Këshilli i Përgjithshëm i “Automobile Club Italia” ka arritur marrëveshjen me pronarët e Formulës 1, “Liberty Media”, për rinovimin e kontratës për organizimin e Çmimit të Madh të Monzës për periudhën 2020-2024.
Nëpërmjet një komunikate, “ACI” thekson se presidenti Angelo Sticchi Damiani mori lirinë e plotë për të vijuar bisedimet me “Liberty Media” për të gjitha aspektet teknike dhe tregtare që kanë të bëjnë me këtë partneritet, në mënyrë që në një kohë shumë të shkurtër kontrata të firmoset zyrtarisht dhe bashkëpunimi të bëhet funksional.
Pista e Monzës ka pritur për herë të parë një garë të Formulës 1 në vitin 1921 dhe që nga ai moment e deri tani, në të janë zhvilluar 88 gara. Ajo është e gjatë 5.7 km dhe skuadra që ka triumfuar më shpesh në të është pikërisht Ferrari, plot 19 herë.
Vitin e kaluar ai që fitoi në këtë pistë ishte britaniku Lewis Hamilton, me Mercedes, i ndjekur nga dy finlandezët, Kimi Raikkonen dhe Valtteri Bottas.