Çmimi i naftës arrin nivele rekorde, qeveria Kurti paralajmëron masa ligjore
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar se është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimit të naftës që do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit.
Sipas kësaj ministrie, Ligji i ri i naftës parasheh që qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse.
“MINT ka përgatitur tashmë draftin dhe po zhvillon konsultimet në mënyrë intensive me hisedarë, në mënyrë që sa më parë ta procedojë për miratim në qeveri. Vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt. Në ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po vazhdon monitorimin e tregut”, është thënë në njoftimin e ministrisë që drejtohet nga Rozeta Hajdari.
Të mërkurën në Kosovë, çmimi i naftës ka arritur vlerë rekorde. Një litër naftë është tregtuar me 1.82 euro.