
Çmimi i naftës, rënie rekord pas izolimeve
Çmimi i naftës shënoi një rënie rekord në pesë muajt e fundit të hënën, pas izolimeve të reja të vendosura në disa vende të botës për shkak të Covid-19.
Shumë ekonomi kanë forcuar kufizimet përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, ndërsa përballen me një shkallë të intensifikuar infektimesh.
Frika është se masat e reja të izolimit do të dëmtojnë më shumë rritjen ekonomike dhe kërkesa për naftë do të bjerë. Tregjet ndërkohë janë të shqetësuara edhe për ecurinë e zgjedhjeve në ShBA.
Në bursat aziatike, çmimi i naftës bruto, Brent, ra në 35.74 dollarë për fuçi, një nivel ky që nuk regjistrohej që nga maji i vonë.
Çmimi i naftës Brent është një tregues për çmimin e naftës në përgjithësi dhe është 45 për qind më i ulët krahasuar me fillimin e vitit.
Situata e lidhur me pandeminë ka rënduar shumë edhe mbi kompanitë e energjetikës me British Petroleum dhe Shell që kanë njoftuar reduktimin e mijëra vendeve të punës këtë vit.