Çmimi i prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë është rritur për 13.4%

07 dhjetor 2021 | 21:00

Në Kosovë, çmimi i energjisë elektrike dhe gazit gjatë tremujorit të tretë të 2021-së është rritur për 13.4 për qind, ndërsa brenda një viti për 17 për qind.

Indeksi i tërësishëm i çmimeve të prodhimit në Kosovë është ngritur për 4.4 përqind në tremujorin e tretë (TM3) të vitit 2021. Ndërkaq, krahasuar TM3 të vitit 2020, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 6.9 përqind.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) ngritje më të mëdha ka pasur në energji elektrike, në prodhim të metaleve, të mobilieve, prodhim të pajisjeve elektrike, prodhim të produkteve minerale jo-metalike dhe të tjera.

“Indeksi i tërësishëm i Çmimeve të Prodhimit në Kosovë u ngrit për 4.4 për qind në tremujorin e tretë 2021, krahasuar me tremujorin e dytë 2021. Ngritje më të mëdha vërehen te energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar me 13.4 për qind, prodhimi i mobilieve me 7.2 për qind, prodhimi i metaleve me 5.3 për qind, prodhimi i pajisjeve elektrike me 4 për qind, prodhimi i makinerisë me 3.4 për qind, prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit me 2.9 për qind, prodhimi produkteve të gomës dhe të plastikës me 2.3 për qind, prodhimi i produkteve minerale jo-metalike me 1.1 për qind, nxjerrja e xehes së metalit me 0.7 për qind, përpunimi i produkteve ushqimore me 0.7 për qind dhe prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike me 0.3 për qind”.

Sipas ASK-së, ngritja u neutralizua me rënien e çmimeve te prodhimi i pijeve dhe i mjeteve të transportit.

Krahasuar brenda një viti, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 6.9 për qind, ku energjia elektrike u rrit për 17 për qind.

“Krahasuar tremujorin e tretë 2021 me tremujorin e tretë 2020, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 6.9 për qind. Ngritje më të mëdha vërehen te energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar me 17 për qind, prodhimi i metaleve me 12.1 për qind, prodhimi i mobilieve me 9 për qind, prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve me 4.7 për qind, prodhimi produkteve të gomës dhe të plastikës me 4.7 për qind, nxjerrja e xehes së metalit me 4.2 për qind, prodhimi i pajisjeve elektrike me 4.1 për qind, prodhimi i makinerisë me 3.7 për qind, prodhimi i produkteve minerale jo-metalike me 2.6 për qind, prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve me 2.5 për qind, përpunimi i produkteve ushqimore me 1.3 për qind, grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë me 0.7 për qind, prodhimi i letrës dhe produkteve prej saj me 0.4 për qind dhe prodhimi produkteve kimike me 0.3 për qind.

Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve të prodhimit të lëkurës dhe produkteve prej saj me 3.3 për qind, xeheroret dhe guroret e tjera me 0.8 për qind, prodhimi i pijeve me 0.2 për qind dhe prodhimi i mjeteve të transportit me 0.1 për qind.

Javën e kaluar Kompania kosovare për Shpërndarje të Energjisë Elektrike (KEDS) ka kërkuar ndihmë nga të gjithë për t’u përballur me krizën energjetike.

“Këto çmime marramendëse e që shkojnë mbi 300 euro për MËh po i paguajnë kompanitë KEDS dhe KESCO, pa përfshirë edhe çmimet për kapacitetet ndërkufitare e të cilat ndikojnë tutje në çmimin fundor të energjisë së importuar”, thuhet në komunikatën e kompanisë.

Por, mundësitë financiare, KEDS-i thotë se janë shterur deri në fund si pasojë e përballjes me çmime të larta.

“Në këtë situatë të rëndë energjetike, KEDS dhe KESCO, ashtu sikurse edhe kompanitë e sektorit të energjisë së shteteve evropiane, kërkojnë ndihmën e të gjithë aktorëve të sektorit energjetik dhe institucioneve relevante, në mënyrë që këtë rrugë të rënduar mos ta bëjnë të vetme dhe që kjo situatë të afektojë sa më pak që është e mundur konsumatorët në këtë kohë, por edhe në të ardhmen”, shkruan Monitor.

Kompania thotë se e kanë pasqyruar situatën e rënduar në të cilën gjendemi në Task Forcën e krijuar nga Ministria e Ekonomisë, e po ashtu duke bashkëpunuar dhe raportuar direkt edhe në institucionet më të larta shtetërore. Ata thonë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjithë palët që kjo situatë të tejkalohet sa më lehtë për të gjithë.

“Tani kur po hyjmë në sezonin e dimrit, ne jemi dëshmitar të një trendi të rritjes së konsumit, që kryesisht ndodh pasi pjesa më e madhe e qytetarëve të vendit po ngrohen me energji elektrike. Megjithëse kapacitetet prodhuese në vend kanë shënuar rritje viteve të fundit, kjo rritje nuk është lineare me rritjen e kërkesës për konsumin e energjisë elektrike, dhe respektivisht kjo diferencë e madhe sidomos gjatë kohës së pikut, duhet të mbulohet përmes importit”.

Duke theksuar se kostot e importit të energjisë elektrike po bëhen të papërballueshme, KEDS thekson se janë të hapur për të bashkëpunuar në gjetjen e një zgjidhjeje.

Sipas KEDS-it, gjatë muajit tetor një megavat është importuar në vlerën prej 242 euro, ku një vit më herët kjo vlerë ishte pesë herë më i lirë.

“Kriza energjetike botërore ka ndikuar dukshëm në rritjen e çmimeve të importit të energjisë. Dallimi është tejet i madh, marrë parasysh që vitin e kaluar megavati është blerë 49 euro, kurse këtë vit 242 euro”.

Furnizimi me ngrohje për qytetarët e Kosovës mbetet sfidë e madhe, mbi 50% e qytetarëve nuk mund të sigurojnë ngrohje të mjaftueshme për shtëpitë e tyre. Sistemet e ngrohjes janë kryesisht vetjake dhe Kosova ka zhvillim tepër të vogël të ngrohjes qendrore. Për më tepër, burimet kryesore të energjisë të cilat qytetarët e Kosovës përdorin për ngrohje janë kryesisht energjia elektrike dhe prerja e drurëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka ironizuar pak…