Çmontim
Arian Leka
Dita fillon. Keq. E para vjen gruaja. E di se ç’do të ndodhë.
– Qenke shëndoshur?! Prapë?! Pyet. Jo mua. As veten. Thjesht e thotë.
Skena 1. Mëngjes. Heqim nga koka zgjatimin e flokëve. – Extension hair. Ndajmë flokët e shtuar prej flokëve të vërtetë.
– Të arta, si të fëmijëve. Shtrijmë duart. Zgjasim gishtërinjtë. Vendosim mbi komodinë dhjetë thonj të rremë, pikturuar me yje, hëna, diej e planetë të zinj. Shkulim tipsat nga thonjtë bojërozë. Hapet goja. Jo për të thënë mirëmëngjesi.
– Le faccette dentali mbulojnë dhëmbët natyralë. Ua ka ndryshuar formën. I ka bërë të duken më të gjatë, më të bardhë dhe ndryshe nga sa ç’janë dhëmbët e vet. Është çasti kur, pasi ka përfunduar demontimet, gruaja ngre vetullën. Lart. Të majtën. Hark i tendosur.
Qindra shigjeta plastike vërsulen drejt meje. Ajo i tërheq. Qepallat ngrihen. Secili qerpik fals duhet shqitur. Jo me duar. As me mollëzat e gishtërinjve. Me pincetë. Qerpiku sintetik ndahet me vështirësi prej qerpikut natyral, mbi të cilin është vendosur. Ishin ngjitur. Mos më keq. Ngjitës i lirë. Nuk janë shtiza. Ushta me majë të mprehtë. Gati të më ngulen. Diku. Në trup. Në ballë. Në zemër. Në brinjë. Në sy. Kudo. Madje edhe aty ku nuk ka mish.
Edhe zëri i saj ka ndryshuar. Maria de Filippi, me atë zërin e vet të ngjirur te Amici, i mori në qafë të gjitha vajzat e brezit të saj. Për t’u dukur e sigurt, si Maria, gruaja ime e ndërroi zërin e saj melodik, me një tingull të thatë, si kashtë, që ne na ngecte në veshë sa herë që asaj i ngecte në fyt. I duhet ta ndryshojë sërish. Zërin. Përgatitet për audicion e një roli të ri. Ledin Makbeth?! Mashan, motrën e mesme, mes tri motrave të Çehovit? Zhulietën? Kleopatrën? Nora Helmerin e Ibsenit? Hahaha! Jo. Princesha Fiona e Shrekut. Ndaj e bëri sërish të butë, të ngrohtë e bojërozë zërin e saj. Si Cameron Diaz. Shtangur përballë pasqyrës e dëgjoj të thotë:
– Çfarë lloj kalorësi je ti?. Fjalët e Fionës së Shrekut. Zëri i Cameron Diazit në shqip. Të ftohta. Akull. Brisk. Si metalet prerëse në kuzhinë. E thotë edhe në anglisht: E shoh. E dëgjoj. Flet gjithmonë me dikë, sikur të mos jem aty.
– What kind of knight are you?! Ato fjalë më drejtohen mua. Vetëm mua. Në anglisht dhe në shqip.
– Je shëndoshur… Aq shumë…! Sa…! Vazhdimin e di. Vazhdoj të shëndoshem. Gjithmonë e më shumë. Nga pak, por çdo ditë. Jam shëndoshur aq sa shtrati rri pjerrtazi. Skiç. E dëgjova. E tha. Sërish.
– Dhe… Kur shtrihesh…
Dihet vazhdimi. Vazhdimi dihet. Ajo tregon shtratin me gisht.
– Ja! Shihe! Shihe dhe vetë…!
E kam parë. Kushedi se sa herë e kam parë, siç kam dëgjuar qindra herë po atë fjali:
– Mu në mes të shtratit tonë, aty ku vetëm flemë, po po, aty ku vetëm flemë, shpinë më shpinë e ku prej kohësh nuk ndodh më asgjë e që nuk është siç ma kishe premtuar…!
Si ia bën ajo për ta mbajtur aq gjatë frymën? Aktoret e bëjnë. Aktorët bëjnë gjithçka. Frymën dhe mërinë mund ta mbajë edhe më gjatë. Deri sa ta shfryjë gjithë sa i është mbledhur në gjoks dhe i merr frymën. Derisa të shpërthejë:
– Në vend të atij qilimit tënd fluturues, atij që do të na shëtiste botës, anekënd, është hapur një vrimë… Në anën tënde! Jo në krahun tim! What kind of knight are you?!
Duket. Edhe me sy të lirë. Ngjan me një gropë. Hapur në mes të shtratit tonë, ku vetëm flemë, pikërisht siç thotë ajo: shpinë më shpinë. E kotë të ma thotë se i paskam bërë gropën. Dashurisë.
Merret me mend. Edhe kur thotë se nuk jam, se nuk qenkam më Ai, i dikurshmi, Shreku i Saj, ajo ka të drejtë. Do të ma thotë prapë. Me siguri. Atë që, edhe po nuk e tha, unë e dëgjoj prej zërit si kashtë, që ia ka vjedhur Maria de Filippit. Po. Jam punishte. Prodhoj mërzi.
Vazhdimi ndihet. Gjithë sa dikur kishte qenë dashuri, tani ishte keqardhje e zbehtë. Mallëngjim pa kufi.
– …dhe për ta mbajtur disi nën kontroll shëndoshjen tënde, kemi futur diçka të re në shtëpi!, shton pa gëzim.
Futur!? Ne?! Diçka të re?! Në shtëpinë tonë? Nuk mbahet mend që kur nuk kemi futur diçka të re në shtëpi! Nuk blejmë gjë. Nuk flaknim gjësend. Madje ka kohë që, jo vetëm diçka, por as dikush nuk na troket më në derë.
Dikushët e fundit që kapërcyen pragun tonë ishin ata që erdhën për të përcjellë atëbotë gjyshin tim. Nuk e mbajtën në krahë. Dhënë një dorë për ta nxjerrë arkivolin nga shtëpia, duke e rrotulluar me kujdes nëpër shkallë, për të mos u përmbysur, me gjithë gjysh, nëpër kthesat e ngushta spirale. Çfarë duhet të kuptoj me fjalët e sime shoqeje, që më njoftoi se kemi futur diçka në shtëpi?
– Peshore!, tha ajo që e kishte pikasur turbullimin tim. Fringo fare. E re. E pastër. Krejt plastike. E saktë dhe e bardhë. Peshohu! Control yourself ! Në banjë e ke! Çfarë pret!, i dha fund ajo.
Nuk di. Arsyen. Pse vazhdoj. Të shtoj. Peshë. Nuk e di. Përse fjalët më dalin nga goja si të kenë pësuar ndrydhje? Të gjitha gjymtyrët kryesore. Dhe gjymtyrët e dyta të fjalive kanë pësuar ndrydhje. Kështu më është dukur. Gjithmonë. Që nga fëmijëria, kur fillova të mësoj njëkohësisht gjuhën e nënës – shqipen edhe gjuhën e babait – frëngjisht.
As Fjalori, që më dhuroi babai për datëlindje, nuk ishte zgjidhje. Gjithsesi. Fjalët ndrydhen. Prej kësaj krijova bindjen se, sado të forta në dukje, gjuhët nuk janë të fuqishme. Janë të thyeshme. FRAGILE. Si ti. Siç shkruhej mbi kutitë me rroba të përdorura, që shokët e fëmijërisë sollën për familjet kur, nga refugjatë klandestinë, u shndërruan në emigrantë me lejeqëndrimi të përkohshëm. Tanët dhe të botës. Për ne kishin mbetur po ata. Ndaj vazhduam t’i thërrisnim me emrat e nënave, jo me mbiemrat familjarë.
Çunat e lagjes. Shokët e ikur. Djemtë që mori eksodi. Të ngecurit. Në matriarkat. Kujtesës sime i mungojnë ata që i quajta vëllezër pa pasur asnjërin vëlla. Syve të mi u mungojnë ata që më thërrisnin me zë të lartë nga rruga dhe trokisnin në derë për të më hequr nga mësimet dhe për të luajtur futboll. Veshëve të mi u mungojnë zërat e njerëzve që qeshën dhe kënduan, kur kapnin zogj në dimër dhe shtypnin mbi ballë xixëllonjat në verë.
Më mungojnë ata me të cilët praktikova të gjitha format e sharjeve dhe që ikën duke mallkuar këtë vend. Ku janë ata që qeshën dhe kënduan, ata që ia behnin në portë me dhe pa shkak, ata që deshën të bëhen policë, gjeologë, shkrimtarë, mjekë, shoferë, pilotë, ata që deshën të mbeten dashnorë të përjetshëm, ata për të cilët nuk shtojmë dot më një pjatë mbi tryezë, ata që shkuan ushtarë edhe ata me të cilët bëmë plane arratisjesh, që nuk ndodhën, ata që lanë diçka në mes dhe fluturuan drejt një universi tjetër e që tani na kthehen përmes kufijve me dhurata FRAGILE.
– Kush dreqin t’i paska sjellë këto rroba qesharake?, dëgjohej në bulevard, teksa shkëmbeheshim gjatë xhiros së mbrëmjes, veshur ndryshe, kush më keq, kush më mirë.
– Adi i Margës!
– Ylli, Aleksi dhe Viktori i Lizës.
– Tosi dhe Gëzimi i Esmasë.
– Beni dhe Arturi i Lefterisë.
Po visheshim.
Po mbatheshim.
Më në fund.
Të gjithë.
Nga koka në këmbë.
Me emigrim.
Kështu kishte thënë babai një mbrëmje. Në çastin e fundit, para se të thoshte “po vishemi me emigrim”, babai i kishte kthyer përgjigje atij që e kish tallur për kapelën e re, sjellë nga Arturi i Lefterisë, duke e sqaruar se ajo që kishte mbi krye nuk ishte thjesht një kapelë dhe aq, por një Borsalino e vërtetë.
– Borsalino fedora. Si i filmi i Jacques Derayit. Jo rreckë.
Kur qe kthyer në shtëpi filloi të përkthente kronikën e artikulli i RAI-t mbi emigrantët shqiptarë në Brindisi.
– Çfarë thotë?, e pyeti nëna.
Babai vuri gishtin mbi hundë, për t’i thënë “hesht!”, por tha vetëm:
– Shih!
Pastaj, pa i kthyer sytë nga ajo, babai tha.
– Dalin nga grykat e zeza të trageteve, si një turn minatorësh, që mbin në sipërfaqe, nga galeritë e thella, ku i kishin harruar të mbyllur për 45 vjet…
Nëna psherëtiu. Vështroi nga ekrani. Pastaj nga unë. Të rreckosur, shpesh pa këpucë në këmbë, disa çalonin. Gjatë kapërcimit të murit dhe hedhjes brenda oborrit të ambasadave, ata kishin thyer këmbët, kishin ndrydhur kyçet, kishin tërhequr muskuj dhe kishin dërmuar krahët.
Dilnin nga grykët e trageteve të njëjtë, që tani lidheshin pas kalatave në Durrës, për të sjellë thasë të zinj, kuti kartoni me veshje të jashtme, veshje të brendshme, këpucë, dorashka, kapela borsalino, si e babait. Gjithçka FRAGILE. Me sytë nga unë nëna më tha:
– Nëse ke ndër mend të ikësh edhe ti, shko në Evropë, ë! Dëgjon ç’të them? Në Evropë, jo Amerikë. U morëm vesh? Babai rrotulloi kokën nga ne. – Jo në Amerikë të thotë!, shtoi babai. Kupton?
– Pse jo?, ia ktheva. Nëna heshti. Babai nuk foli më gjatë. Radha e gjyshit. Kujtimi i Petros së shkishëruar, që iku e nuk u kthye më i gjallë.
– Megjithëse e bukur, Amerika është si një femër trupmadhe. Nuk arrin ta përqafosh kurrë të gjithën. Rri në Europë. Në shtëpi!, më tha.
Askush nuk po kthehej, siç ishte thënë se do të ndodhte me ata që do të zhgënjeheshin me emigrimin. Unë nuk do të isha si ata. Kisha zgjedhur një lloj tjetër mërgimi. Në shtrat. Tek ai që është bërë me vrimë, ai që ka një gropë diku në mes. Jo në krahun e saj. Në anën time.
Nuk e kuptoj përse duhet të ishte krijuar gropa, kur unë, edhe pse nuk ha, edhe pse nuk pi, vazhdoj të shtoj peshë. Ka të drejtë ime shoqe, që ka futur diçka të re në shtëpi. Duhet. Të peshohem. Çdo ditë. Ajo ka të drejtë edhe pse unë nuk e pranoj.
Jam punishte.
Prodhoj vetëm një mall.
Mërzi.
50 gramë.
Të pastër.
Çdo ditë!
Ngrihem. Nga shtrati. Vë kufjet. Edhe gruaja vë kufjet e saj. Edhe bija jonë me kufje në veshë jeton. Nuk duhet të mendoj më për këto, por ta përfundoj sa më parë normën ditore të dialogëve të përkthimit. Doktor Zhivago. Shtyp Play. Fjalët e para janë ato të bolshevikut të ri, që ia përplas drejt e në sy Omar Sharifit:
– That’s right! Juri! Adapt yourself!
E përsëris. Me zë të lartë, derisa të më pëlqejë përkthimi im.
– Përshtatu, Juri! Përshtatu!
Gjithsesi është më pak nga sa kërkon nga unë ime shoqe, kur më thotë se duhet të ndryshoj. Nëse nuk do të qe çmendur aq shumë pas zërit të Fionës së Camedon Diazi-t, sa të hiqte dorë teatri, ajo do të kishte qenë një Lara e shkëlqyer në film dhe një grua e kënaqur që, me zërin e vet, do të kërkonte nga unë të njëjtën gjë: përshtatjen!
– Lëri filmat djalë!, më kthen im atë, që kishte ndalur hapat përballë derës së mbyllur të banjës e që më kishte dëgjuar kur flisja me zë të lartë, me kufjet mbërthyer në vesh, në kërkim të përkthimit të përsosur të fjalisë “That’s right! Juri! Adapt yourself!”
– Kjo botë ka vend për njerëz të zakonshëm, si unë dhe si ti. Ndaj ose gjej një punë, ose…! Pirdhu!, duhet të kishte thënë, por tha:
– Be a genius or find a job!
Kaq.
Pastër.
Thjesht.
Mos m’u afro!
Është një errësirë kaq e pastër, sa nuk të lejoj të hysh!
E përsosur.
It’s a Miracle.
Pink Floyd.
1992.
Eksodi.
Vala e dytë.
Marrë nga numri 21 i revistës “Akademia”