CNN: Fluturimi më i gjatë në botë, piloti kaloi më shumë se dy muaj në ajër
Në fund të gushtit të kaluar, një dron me energji diellore i quajtur Zephyr, pothuajse theu një rekord në fushën e aviacionit.
Aeroplani pa pilot, i operuar nga ushtria amerikane dhe i prodhuar nga Airbus, fluturoi për 64 ditë, 18 orë e 26 minuta përpara se të rrëzohej papritur në Arizona – vetëm katër orë para se të thyente rekordin për fluturimin më të gjatë – pa ndërprerë, raporton CNN.
Ky rekord u vendos 64 vjet më parë, në vitin 1959, nga Robert Timm dhe John Cook, të cilët fluturuan me një aeroplan të vogël në qiellin mbi Las Vegas për 64 ditë, 22 orë dhe 19 minuta, transmeton Telegrafi.
Por, është mbresëlënëse se si Zephyr – një aeroplan i lehtë me teknologji moderne – arriti të fluturonte aq gjatë në mënyrë autonome, megjithëse nuk e theu rekordin.
Megjithatë, Timm dhe Cook arritën të qëndronin në ajër për shumë kohë, edhe pse nuk kishin teknologji sikurse të Zephyr-t.
Në vitin 1956, hoteli dhe kazinoja Hacienda u hap në skajin jugor të Las Vegasit, Nevada.
Ishte një nga resortet e para familjare në Las Vegas dhe në kërkim të publicitetit. Pronari i hotelit mori një sugjerim nga njëri prej punonjësve të tij: të fluturojë me një aeroplan duke ekspozuar emrin e hotelit në të dhe ta shfrytëzojë për ta thyer rekordin e qëndrueshmërisë në ajër – pothuajse 47 ditë dhe që ishte arritur në vitin 1949.
Punonjësi, një ish-pilot i Luftës së Dytë Botërore dhe i cili merrej kohë pas kohe me riparimin e aeroplanëve, Robert Timm, mori 100 mijë dollarë për të organizuar ngjarjen.
Timm kaloi muaj të tërë duke modifikuar aeroplanin e zgjedhur, Cessna 172.
“Ishte një dizajn relativisht i ri”, thotë Janet Bednarek, një historiane e aviacionit dhe profesoreshë në Universitetin e Daytonit.
“Është një aeroplan me katër vende dhe ishte mjaft i lehtë për t’u drejtuar – diçka që nuk duhet t’i kushtoni vëmendje në çdo moment”, tha ajo.
Modifikimet përfshinin një dyshek për të fjetur, një lavaman të vogël çeliku për higjienën personale, heqjen e pjesës më të madhe të pajisjeve të brendshme për të kursyer peshën dhe një autopilot.
“Gjëja më rëndësishme, megjithatë, ishte zbulimi i mënyrës për ta furnizuar me karburant”, thotë Bednarek dhe shtoi, “Ka pasur shumë eksperimente të ndryshme deri në pikën e furnizimit me karburant. Por, në të vërtetë nuk ekzistonte asnjë mënyrë se si do të modifikohej aeroplani për ta furnizuar me karburant në ajër. Kështu ata vendosën një rezervuar shtesë në aeroplan që mund të furnizohej nga një kamion në tokë. Kur duhej të furnizoheshin me karburant, ata fluturonin shumë ulët dhe më pas vinte kamioni, ku përmes një zorre transferonte karburantin në aeroplan. Ishte vërtet një shfaqje dramatike e aftësisë ajrore, sepse ata duhej ta bënin atë ndonjëherë gjatë natës dhe kjo kërkonte njëfarë saktësie gjatë fluturimit”.