CNN: Grenell mund të emërohet drejtor i CIA-s
Donald Trump fitoi zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një rezultat të thellë. Menjëherë pas kësaj, mediumet prestigjioze ndërkombëtare filluan të merren me atë se kush do ta përbëjë kabinetin e presidentit Trump.
Një nga emrat më të përfolur është padyshim edhe emri i Richard Grenell, i cili konsiderohet si një nga personat më të afërt të presidentit Trump.
Emri i tij, sipas mediumeve ndërkombëtare, po përmendet për pozitën e Sekretarit të Shtetit ose për atë të Këshilltarit për Siguri Kombëtare.
Por, CNN ka treguar se ai mund të marrë një pozitë tjetër të rëndësishme.
Sipas CNN, Richard Grenell mund të bëhet Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në kabinetin Trump, por mund edhe të emërohet në krye të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, e cila shkurtimisht njihet me akronimet CIA, përcjell Demokracia.com.
“Grenell ishte ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës kombëtare të Trump për disa muaj në vitin 2020 dhe gjithashtu është sugjeruar për një rol të tillë si drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, ku ai mund të nxitet nga Trump për të zbuluar të ashtuquajturin “shtet të thellë”, shkruan CNN.