CNN-i padit Trumpin

13 nëntor 2018 | 20:08

CNN-i ka ngritur një padi kundër administratës së Presidentit Donald Trump me anë të së cilës ka kërkuar që t’i rikthehen kredencialet korrespondentit të Shtëpisë së Bardhë, Jim Acosta.

Shtëpia e Bardhë ia kishte hequr gazetarit Acosta kredencialet javën e kaluar.

Rrjeti televiziv e depozitoi padinë të martën në Gjykatën e Qarkut të Washingtonit.

“Heqja e gabuar a kredencialeve shkel të drejtat e CNN-it dhe Jim Acostas për lirinë e shtypit, parashikuar në Amendamentin e Parë (të Kushtetutës) dhe të drejtat e tyre për procesin e duhur, parashikuar nga Amendamenti i Pestë”, thuhet në një deklaratë të CNN-it, raporton “VoA”.

“Ne i kemi kërkuar kësaj gjykate të lëshojë menjëherë një urdhër për kthimin e menjëhershëm dhe të përhershëm të kredencialeve për Jimin”, thotë CNN.

Acosta është një nga gazetarët më të njohur të CNN-it. Ai ka një reputacion për pyetje të forta ndaj Presidentit Trump dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Shtëpisë së Bardhë.

Javën e kaluar, administrata e Presidentit Trump pezulloi “kredencialet e përhershme” të gazetarit në Shtëpinë e Bardhë. Pezullimi u bë, pasi zoti Acosta e sfidoi portretizimin që i ka bërë zotit Trump karvanin me imigrantë nga Amerika Qendrore duke e quajtur një “pushtim”.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kishin akuzuar gjithashtu gazetarin Acosta se “kishte prekur” një ndihmëse të shtypit të Shtëpisë së Bardhë, e cila po përpiqej t’ia merrte mikrofonin nga duart gjatë shkëmbimit me Presidentin. Videoja nga ai moment tregon se Acosta nuk ishte agresiv me ndihmësen e shtypit.

Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë tha të martën se “mbështet me forcë synimin e CNN-it për të kërkuar rikthimin e kredencialeve të lëshuar nga Shërbimi Sekret që Shtëpia e Bardhë as nuk duhet t’ia kishte hequr”.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk ka asnjë punë që të zgjedhë arbitrarisht se cilët gazetarë e mbulojnë atë”, tha Presidenti i Shoqatës, Olivier Knox.

Në një deklaratë, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders e shpërfilli padinë, duke e quajtur atë “një tjetër përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga ana e CNN-it” dhe tha se Shtëpia e Bardhë i qëndron vendimit për t’i hequr kredencialet zotit Acosta.

“Pasi zoti Acosta i bëri dy pyetje Presidentit, të cilave ai iu përgjigj, ai fizikisht refuzoi t’ia jepte mikrofonin një praktikanteje, në mënyrë që edhe gazetarët e tjerë të mund të bënin pyetje. Nuk ishte hera e parë që ky gazetar në mënyrë të papërshtatshme ka refuzuar t’u lërë radhën gazetarëve të tjerë”, tha zonja Sanders.

Që kur hyri në skenën politike në vitin 2015, zoti Trump vazhdimisht ka sulmuar verbalisht gazetarët dhe rrjetet mediatike që i sheh si të padrejtë ndaj tij. Një nga emërtimet më të ashpra që ai ka përdorur ndaj tyre është kur i ka quajtur “armiq të popullit”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga e enjta deri të martën luhen ndeshjet vendimtare të…