‘CNN’-i përzgjedh Prishtinën në mesin e 20 qyteteve më magjepsëse në Evropë
Rrjeti televiziv amerikan “CNN” e ka përfshirë Prishtinën në mesin e 20 qyteteve të bukura evropiane pa gati asnjë turist.
“Duke parë që numri i madh i madh i turistëve nuk po tregon shenja uljeje në destinacionet më të famshme në Evropë, asnjëherë s’ka qenë kohë më e mirë për të gjetur opsione të mrekullueshme që tërheqin më pak vizitorë”.
Mediumi prestigjioz amerikan, i drejtohet lexuesve me pyetjen se “a duan t’u ikin turmave me turistë në qytetet si Venecia, Parisi e Amsterdami?”.
Duke ofruar listën e qyteteve më të bukura evropiane me fare pak turistë, CNN-i ka përfshirë këtu edhe kryeqytetin e Kosovës.
Me përshkrimin për secilin qytet, në rastin e Prishtinës, “CNN”-i ka përmendur Muzeun Etnografik, atë Kombëtar dhe Bibliotekën Kombëtare.
“Kryeqyteti i Kosovës zakonisht nuk është në maje të listës së shumicës së turistëve, por nuk ka arsye për të mos vizituar këtë qytet magjepsës. Teksa Prishtina mund të ketë qenë sinonim i luftës 20 vjet më parë, ajo pësoi transformim të madh që nga ajo kohë, me ngritjen e çuditshme të ndërtesave. Muzeu i mrekullueshëm etnografik ‘Emin Gjiku’ ia vlen të eksplorohet në një mëngjes, njëjtë siç është edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës. Biblioteka unike e Universitetit të Prishtinës do të magjepsë adhuruesit e arkitekturës, teksa ata që duan të qetësohen, mund ta gjejnë atë në pishinën e madhe në parkun e Gërmisë, që gjendet në veri të qytetit”, është thënë në përshkrimin për Prishtinën.
Krahas kryeqytetit të Kosovës, “CNN”-i ka përmendur në këtë listë edhe qytete të njohura evropiane.
Orange (Francë), Norwich (Angli), Aarhus (Danimarkë), Antwerp (Belgjikë), Hagë (Holandë), Sarajevë (Bosnje), Malmo (Suedi), Aberdeen (Skoci), Bern (Zvicër), Wroclaw (Poloni), Tbilisi (Gjeorgji), Minsk (Bjellorusi), Yerevan (Armeni), Cluj-Napoca (Rumani), Debrecen (Hungari), Ankara (Turqi), Plovdiv (Bullgari), Trondheim (Norvegji), Torino (Itali), janë qytetet tjera në këtë listë, përpos Prishtinës.
“Kryeqyteti i Kosovës zakonisht nuk është në maje të listës së shumicës së turistëve, por nuk ka arsye për të mos vizituar këtë qytet magjepsës”, ka shkruar “CNN”-i.
“Biblioteka unike e Universitetit të Prishtinës do të magjepsë adhuruesit e arkitekturës”.