‘CNN’-i: Serbët iu përgjigjën me rezistencë të dhunshme shtetit të Kosovës

12 dhjetor 2022 | 11:21

Që nga e shtuna rrugët që çojnë në pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje janë bllokuar nga serbët.

Kjo për shkak të arrestimit të një ish-polici serb i cili dyshohet se sulmoi policinë në Zveçan të enjten pak para mesnatës.

E kjo gjendje e ka tërhequr vëmendjen e mediumit amerikan “CNN”.

Gjiganti mediatik në ShBA i ka kushtuar një artikull gjendjes në veri me titullin “Kosova bën thirrje për ndërhyrje të NATO-s pas fundjavës së dhunshme mes tensioneve etnike në rritje”.

Në shkrimin e “CNN”-it, ceket se serbët i janë përgjigjur me rezistencë të dhunshme, shtetit të Kosovës.

“Javët e fundit, minoriteti serb në veriun e Kosovës, i është përgjigjur lëvizjeve të Prishtinës që ata i shohin si anti-serbe”, ka shkruar “CNN”.

Gjatë së dielës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje forcave paqeruajtëse të KFOR-it që të ndërhyjnë në veri.

“Kryeministri i Kosovës iu bëri thirrje trupave paqeruajtëse të NATO-s që të ndërhyjnë pasi protestuesit e pakicës serbe bllokuan rrugët dhe persona të armatosur të panjohur shkëmbyen zjarr me policinë gjatë fundjavës mes tensioneve etnike në rritje në veriun e trazuar të vendit”, ka shkruar “CNN”-in.

Kurti u ka kërkuar atyre të garantojnë “lirinë e lëvizjes”, pasi ai akuzoi “bandat kriminale” për bllokimin e rrugëve.

Më tutje, në artikullin e “CNN”-it është përmendur edhe sulmi me granatë ndaj policëve të EULEX-it.

Si shkak i situatës autoritetet e Kosovës i shtynë zgjedhjet në veri.

Presidentja Vjosa Osmani, ka marrë vendim që ato të shtyhen për datën 23 prill.

Gjatë ditës së djeshme pati reagime të shumta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, e po ashtu edhe nga Bashkimi Evropian.

Derisa, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të shtunën deklaroi do t’i kërkonte KFOR-it që ta lejonte Serbinë të vendoste ushtrinë dhe policinë në Kosovë, por pranoi se nuk kishte asnjë shans për t’u dhënë leje.

Të dielën, Vuçiqi ka thënë se Serbia kërkoi lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar nga veriu i Kosovës, por gjithashtu kërkon të ulë tensionet në rajon.

Vuçiqi ka akuzuar autoritetet në Prishtinë dhe kryeministrin e Kosovës Kurti për nxitje të tensioneve duke bërë “lëvizje të njëanshme”, shkruan “CNN”.

Artikullin e plotë mund ta gjeni: KËTU

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Doli nga shtypi libri më i ri, "Thermë e shpirtit…