
CNN: Putini po përdor taktika klasike ruse në bisedimet me ShBA-në
Presidenti amerikan Donald Trump po zbulon se të arrish deri te presidenti rus Vladimir Putin nuk është aq e lehtë sa mund të ketë menduar. Por ai është vetëm udhëheqësi i fundit amerikan që dështon në përpjekjen për të afruar Rusinë dhe presidentin e saj afatgjatë, shkruan CNN në një analizë.
Përpjekjet e administratës Trump për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë janë bllokuar kryesisht, pavarësisht një vale aktiviteti diplomatik.
Që kur është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka zhvilluar të paktën dy telefonata të gjata me Putinin dhe ka dërguar disa herë të dërguarin e tij Steve Witkoff për të takuar personalisht liderin rus në Moskë, me udhëtimin e fundit të premten.
Siç nuk është për t’u habitur për shumë njohës të Kremlinit, asnjë nga këto takime nuk ka sjellë një marrëveshje. Jo vetëm që Witkoff u kthye pa rezultate, por ai gjithashtu përsëriti disa nga pikat kryesore të qëndrimeve të Kremlinit.
Propozimi më i fundit amerikan përfshin njohjen e kontrollit rus mbi Krimenë – një vijë e kuqe e kahershme për Ukrainën dhe aleatët e saj europianë, kanë thënë për CNN zyrtarë të njohur me detajet.
“Unë do të thosha se negociatat po ecin shumë mirë – nga këndvështrimi i Putinit”, i tha CNN Angela Stent, eksperte e politikës së jashtme dhe ish-zyrtare e lartë e Këshillit Kombëtar të Inteligjencës për Rusinë dhe Euroazinë.
“Ai nuk ka asnjë synim ta ndalë luftën, por ajo që dëshiron, dhe që po arrin, është rikthimi i marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Rusisë”.
“Putini po luan me kohën sepse beson se koha është në anën e tij dhe se mund ta detyrojë Ukrainën të hyjë në një pozicion edhe më të pafavorshëm dhe të bindë Kyivin dhe aleatët e tij europianë, me ndihmën e Washingtonit, se nuk ka alternativë tjetër përveç një marrëveshjeje paqeje sipas kushteve ruse”, i tha CNN-it John Lough, kreu i politikës së jashtme në Qendrën e Strategjive të Reja Euroaziatike, një institut kërkimor me bazë në Londër dhe washington.
Vonesat, pazaret për çdo detaj, ose refuzimi pa thënë qartë “jo”, janë një taktikë klasike ruse, e përdorur nga Putini dhe negociatorët e tij kryesorë në disa raste në të kaluarën, si gjatë negociatave për armëpushimin në Siri, shkruan CNN, përcjell Gazeta Express.
Nuk është e qartë nëse administrata Trump nuk e ka parë këtë duke ardhur sepse nuk e kishte ekspertizën e nevojshme që do ta çonte në parashikimin e një sjelljeje të tillë, apo thjesht ka vendosur të luajë sipas lojës.
Fjalët e Trumpit që nga kthimi në detyrë tregojnë se ai e sheh botën në një mënyrë të ngjashme me Putinin, tha Stent – si të përbërë nga një grusht fuqish të mëdha, të cilave vendet më të vogla duhet t’u nënshtrohen.
“Trump flet për konkurrencën mes fuqive të mëdha (mes Kinës dhe SHBA-së), se ai duhet të jetë në gjendje ta marrë nën kontroll Kanadanë dhe Grenlandën, dhe Panamanë, dhe nga këndvështrimi i Putinit, kjo është në rregull. Kujtoni, ai nuk e ka kritikuar Trumpin për asnjë nga këto”, tha ajo.
Në fund, Trump e ka bërë të qartë se ka shumë pak interes për të ardhmen e Ukrainës – madje duke sugjeruar se “Ukraina ndoshta një ditë do të jetë e Rusisë”.
Prandaj, nëse Putini vazhdon ta zvarrisë procesin, kjo mund t’i japë Trumpit një mënyrë për të dalë nga situata.