CNN: Rusia po përparon në lindje të Ukrainës
Përderisa Shtetet e Bashkuara po përgatiten për dërgimin e një pakoje ushtarake domethënëse në Ukrainë pas miratimit nga Senati të legjislacionit me vlerë të 61 miliardë dollarëve, në raportimet prej lindjes së Ukrainës vazhdohet të vihet në pah gjendja e vështirë në fushën e betejës.
Fshati Ocheretyne mbetet fokus i qartë për forcat ruse. “DeepState”, grup vëzhgues ukrainas, po shfaq përparime pothuajse të përditshme ruse në perëndim, përgjatë një rripi të terrenit të lartë, raporton televizioni CNN.
Ajo zonë ka rëndësi qendrore për vijën mbrojtëse të Ukrainës në atë pjesë të frontit dhe ka qenë cak kryesor për forcat ruse që nga marrja nën kontroll e qytezës Avdiivka, rreth 16 kilometra më larg, në shkurt, transmeton nacionale.
Sipas hartës më të re të grupit ukrainas“DeepState”, qendra e fshatit Ocheretyne, përfshirë stacionin e trenit, shfaqet në duart e rusëve, ndërsa Ukraina gjithashtu po humb terren në fshatin fqinj, Novobakhmutivka, menjëherë në jug.
Blogeri ushtarak ukrainas, Bohdan Myroshnykov, shkroi: “Në Novobakhmutivka, armiku bëri progres në fshat, duke avancuar deri në 400 metra. Më parë, ata e kontrollonin vetëm pjesën juglindore të fshatit, por tani i kontrollojnë gati tri të katërtat e fshatit.”
Sipas raportimeve, më në jug, në dy fshatra të tjera – Berdychi dhe Semenivka – trupat ruse gjithashtu po mundohen që të lëvizin përpara.
Grupi “DeepState” thotë se një përpjekje për të përparuar më tej në perëndim përgjatë vijës së kreshtës nga Ocheretyne u parandalua me sukses nga një kundërsulm ukrainas ngaBrigada e 100-të, por bën të qartë se forcat e armatosura ukrainase kanë nevojë që ndihma ushtarake amerikane të arrijë sa më shpejt që është e mundshme.
“Forcat nuk janë të barabarta, kur**t [ruse] ua kalojnë në numër forcave mbrojtëse [ukrainase] në këmbësori. Të mos i përmendim [bombat[ KAB, artilerinë dhe pajisjet” – thotë grupi ukrainas.
Një oficer i Komandës Lindore të Ukrainës, i cili ka kërkuar që të mos i publikohet emri, sepse nuk është i autorizuar për të folur zyrtarisht, i tha televizionit CNN javën e kaluar se nëse forcat ruse arrijnë sukses për ta marrë dhe për ta mbajtur nën kontroll fshatin Ocheretyne, kjo do të mund t’i sillte nën kontrollin e zjarrit rus rrugët jetike logjistike të Ukrainës, që lidhin tri qendra kyçe ushtarake – Kostiantynivka, Pokrovsk dhe Velyka Novosilka.
Ndërkohë, përreth qytetit Chasiv Yar, rreth 40 kilometra në veri, sipas raportimeve ukrainase dhe ruse lihet të kuptohet se Ukraina ka shënuar sukses për t’i ndalur përparimet e rusëve, të paktën tani për tani.
Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, ka thënë se beson që presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhër për kapjen e këtij qyteti deri më 9 maj, dita kur Rusia e feston fitoren kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.