CNN: Trump bëri 32 pretendime të rreme gjatë intevistës me Joe Rogan
Donald Trump u ul të premten për një intervistë me drejtuesin e famshëm të podcast-it, Joe Rogan, e cila zgjati thuajse tre orë — dhe ish-presidenti shpërndau një sërë pretendimesh të pavërteta, gjithsej të paktën 32, sipas CNN.
Shumë nga këto pretendime të pavërteta — sipas CNN — janë gënjeshtra që janë hedhur poshtë muaj apo edhe vite më parë. Pretendimet përfshinin një sërë temash, duke përfshirë politikat e emigracionit, politikat mjedisore dhe të energjisë, legjitimitetin e zgjedhjeve të vitit 2020, arritjet e Trump gjatë mandatit të tij, Zëvendëspresidenten Kamala Harris, madhësinë e turmave dhe mënyrën se si shkollat trajtojnë fëmijët transgjinorë.
Disa nga pretendimet:
Emigrantët dhe vrasësit: Trump përsëriti pretendimin e tij të rremë se “kemi pasur 13,099 vrasës të sjellë në vendin tonë gjatë tre viteve të fundit.” Në realitet, siç është theksuar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe ekspertë të pavarur, ky numër i përket emigrantëve që sot kanë dënime për vrasje në ShBA dhe që kanë hyrë në vend për dekada të tëra, duke përfshirë kohën e administratës së vetë Trump, jo vetëm gjatë tre viteve të fundit apo nën administratën Biden.
Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2020: Trump përsëriti gënjeshtrën e tij se ai fitoi zgjedhjet e vitit 2020, duke pretenduar me të pavërtetë: “Unë e fitova zgjedhjen e dytë me lehtësi.” Ai humbi, me rezultat të qartë, ndaj Biden, i cili e mposhti Trump në Kolegj Elektoral me 306-232 dhe fitoi mbi 7 milionë vota më shumë se ai.
Trump dhe ISIS: Duke përsëritur një nga pretendimet e tij të zakonshme të pavërteta, Trump tha: “Ne e mposhtëm ISIS-in në një kohë rekord. Supozohej të zgjaste vite, dhe ne e bëmë për disa javë.” “Kalifati” i ISIS-it u deklarua i çliruar plotësisht më shumë se dy vjet pas fillimit të presidencës së Trump.