“Çohu”: Financimi i partive politike, proces i pakontrolluar
Përfaqësues të organizatës “Çohu” kanë mbajtur sot një konferencë për media ku kanë prezantuar videografin mbi financimin e partive politike.
Po ashtu, në këtë konferencë është folur edhe mbi krijimin e raporteve klienteliste mes bizneseve dhe partive politike.
Artan Demhasaj nga “Çohu” ka thënë se mënyra e financimit të partive politike në Kosovë që nga krijimi i institucioneve është përcjell me probleme dhe defekte të shumta, të cilat kanë bërë që ky proces të mbetet i pakontrolluar dhe menaxhuar siç duhet.
“Financimi edhe pse i rregulluar me ligjin e vitit 2010, dhe i ndryshuar dhe plotësuar në vitin 2012 dhe 2013, tregon shumë probleme dhe zbrazëtira juridike që po e bëjnë këtë ligj të paimplementueshëm dhe të pasuksesshëm në rregullimin e financimit të partive politike”, ka thënë Demhasaj.
Duke pasur parasysh që në këtë kohë janë duke u diskutuar ndryshimet në Ligjin për financimin e partive politike, “Çohu” ka adresuar problemet ekzistuese lidhur me këtë proces.
Demhasaj ka thënë se pavarësisht se struktura ligjore përcakton një model të caktuar të financimit, njeh kategoritë e mundshme të financimit dhe përcakton edhe masa disiplinore kundrejt mungesës së transparencës, Ligji për financimin e subjekteve politike mbetet ndër ligjet më të pazbatuara në nivel vendi.
“Gjatë hulumtimeve të mëhershme të organizatës ‘Çohu’ kemi gjetur se kjo mënyrë e rregullimit të financimit të subjekteve politike ka krijuar hapësirë për krijimin e raporteve klienteliste në mes subjekteve politike dhe bizneseve. Edhe pse ligji në disa raste ka paraparë masa të kontrollit për parandalimin e raporteve klienteliste, në raportet e auditorit asnjëherë nuk përmenden si të gjetura. Në raportet e auditorit për subjektet politike për vitet 2013-2016 të publikuara nga KQZ, vërehet tendenca e njëjtë e financimit nga donacionet e jashtme. Përveç që në raportet e reja disa nga subjektet politike deklarojnë vlera të mëdha të donacioneve në kontribute për mallra dhe shërbime, por këto donacione janë të deklaruara në mënyrë shumë të paqartë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se në raportet e para të publikuara nga KQZ-ja nuk ishin të paraqitur numrat personal të personave që kanë dhënë donacione për partitë politike, gjë që ka bërë të pamundur për “Çohu”-n të identifikojë donatorët dhe të hulumtoj lidhjet e tyre me bizneset për vitet e fundit. Tanimë KQZ ka publikuar si të korrigjuara këto raporte, ku gjenden edhe numrat personal.
Demhasaj ka theksuar se organizata “Çohu” do të vazhdojë me identifikimin e lidhjeve klienteliste në raportet donator-parti edhe për këto vite.
“Meqenëse masat e deritanishme ligjore nuk kanë parandaluar raportet e mundshme klienteliste në mes subjekteve politike dhe bizneseve, Çohu! konsideron që është e domosdoshme që financimi nga subjektet juridike të cilat kanë marrëdhënie kontraktuale me institucione publike të ndalohet plotësisht”, ka thënë ai.
“Çohu” konsideron që shpenzimet individuale të kandidatëve duhet të deklarohen në pasqyrat financiare të subjekteve politike.
Videografi i publikuar sot nga organizata “Çohu” paraqet në mënyrë vizuale raportet klienteliste që kanë lindur si pasojë e moskontrollimit të financave të partive politike.
Përmes këtij videografi janë publikuar shumat e mjeteve financiare që secila parti politike ka pranuar nga biznese të ndryshme, si dhe numrin dhe vlerën totale e tenderëve që këto biznese i kanë marrë përmes procedurave të prokurimit publik.
/Epoka e re/