Çollaku: S’ka datë të caktuar për nisjen e dialogut
Bekim Çollaku, Shef i kabinetit të presidentit Hashim Thaçi, ka folur për procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë dhe për debatin se kush duhet të udhëheqë atë proces.
Ai ka thënë se faza finale e dialogut do të vazhdojë, mirëpo nuk dihet data se kur do të ndodhë.
“Paralajmërimet apo informatat do të dalin të sakta sepse kështu kanë qenë edhe dakordimet tona me ndërmjetësuesen Mogherini dhe pres që brenda pak ditësh ta kemi takimin e radhës në nivel të presidentëve me ndërmjetësimin e Mogherinit, por ende s’është caktuar data e takimit”, ka thënë Çollaku në KTV.
Ai ka dekaruar se kjo fazë e procesit dialogues është më e rëndësishmja pasi që, siç tha ai, palët pritet që të përmbyllin këtë proces.
Këshilltari i Presidentit thotë se në këtë fazë të dialogut do të bëjnë përpjekje për një marrëveshje përfundimtare për normalizim marrëdhëniesh mes dy vendeve.
Çollkau ka thënë se në vend po zhvillohet debat i mjaftueshëm ku janë të përfshirë të gjithë ata që kanë interes për të dhënë kontributin e tyre në këtë proces, duke përfshirë edhe shoqërinë civile.
Mirëpo, sipas tij, debati për atë se kush duhet ta udhëheqë dialogun është i kotë.
“Është humbur shumë kohë nga partitë politike duke u diskutuar se kush duhet ta udhëheqë dialogun e jo për temat e dialogut. Kjo është e gabueshme. Nuk ka rëndësi se kush është sot kryeministër apo president. Presidenti nuk shkon atje si individ, por si përfaqësues i shtetit të Kosovës. Në të kaluarën dialogu është udhëhequr në nivel kryeministrash kurse tani është në nivel presidentësh. Thaçi, me gjithë bagazhin politik dhe kompetencat që ka me Kushtetutë, është homolog i barabartë me presidentin serb, Vuçiq”, u shpreh Çollaku.