Çollaku: Takimi i nesërm në Ohër pritet të prodhojë edhe një dramë tjetër
Bekim Çollaku, ish-ministër i Integrimeve Evropiane dhe njohës i proceseve integruese, ka thënë se takimi i nesërm ( e shtunë) në Ohër në mes të kryeministrit i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq pritet të sjellë progres në aspektin e negociatave për aneksin e planit zbatues të planit evropian.
“Takimi i radhës në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që mbahet nesër në Ohër, pritet të sjellë progres në aspektin e negociatave për aneksin e planit zbatues të planit evropian, për të cilin palët tashmë janë pajtuar. Sigurisht që pritjet e partnerëve ndërkombëtarë janë që të përmbyllen negociatat për aneksin e kësaj marrëveshje, respektivisht planit zbatues”, ka thënë Çollaku për “Klan Kosovën”.
Por, në pyetjen se a do të arrihet nesër (e shtunë) marrëveshje mes palës së Kosovës dhe Serbisë, ai thotë se duhet të pritet përfundimi i takimit fillimisht, për të cilin është i sigurt se do të sjellë një dramë tjetër të procesit.
“Mbetet që të presim epilogun e takimit të nesërm. Një gjë është e sigurt, takimi i nesërm pritet të prodhojë edhe një dramë tjetër në kuadër të këtij procesi maratonik”, ka thënë Çollaku.
Mirëpo, nga vizita e Escobarit të mërkurën dhe të enjten në Beograd dhe takimit me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministren Bërnabiq, ata kanë diskutuar për mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe kompromisit në dialogun e zhvilluar me ndërmjetësimin e BE-së dhe për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Kurse, në takimin me përfaqësuesit e opozitës serbe, Escobari u ka thënë gazetarëve në Beograd se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe është e qartë se ky është një detyrim i përcaktuar në dokumente të shumta.
Megjithatë, Escobari ka thënë se nuk pret që të shtunën të nënshkruhet marrëveshja në Ohër, por do të ishte i kënaqur me një marrëveshje për të ecur përpara.
Në fund të javës së kaluar, Miroslav Lajçak ka qenë në Kosovë për t’i takuar krerët e Kosovës si përgatitje për takimin e 18 marsit në Ohër. Në takimin e tij me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, dhe kryenegociatorin Bislimi, Lajçaku ka thënë se ka diskutuar me ta pikëpamjet dhe agjendën e takimit mbi zbatimin e modaliteteve nga marrëveshja e 27 shkurtit.
Gjithashtu, gjatë vizitës dyditëshe në Prishtinë, Lajçaku është takuar me liderët opozitarë për t’i sqaruar me ta mospajtimet që kanë lidhur me marrëveshjen dhe për hapat e ardhshme të saj.
Deri sot, Partia Demokratike e Kosovës ka qenë e rezervuar për gjithë procesin e dialogut rreth marrëveshjes, ku sipas kryetarit të saj, Memli Krasniqit kjo marrëveshje “pa njohje të ndërsjellë, por me asociacionin në qendër, do të ketë vazhdim të dialogut, që krijon një status-quo të re”.
Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka përkrahur marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por vetëm me njohjen e ndërsjellë, ku kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është shprehur se “Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi”.
E vetmja nga opozita ka qenë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila e ka përkrahur që nga fillimi plotësisht të gjithë procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Çollaku, i cili ishte edhe ish-shef i stafit i ish-presidentit Hashim Thaçi, qasjen e opozitës ndaj procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit e ka vlerësuar si konstruktive nga fillimi deri tash, meqenëse kjo nuk nënkupton që “plani evropian apo marrëveshja aktuale do ta marrë mbështetjen e plotë të tyre, për shkak se marrëveshja nuk përmban njohjen reciproke dhe imponon një autonomi të zgjeruar për komunitetin serb në Kosovë”.
“Partitë opozitare kanë premtuar se nuk do të përdorin asnjë formë anti-demokratike për ta penguar këtë marrëveshje, siç ka ndodhur në të kaluarën. Në çdo rrethanë, kryeministri Kurti e ka pranuar planin evropian dhe tani e ka përgjegjësinë shtetërore për të nënshkruar atë dhe duke qenë se i ka votat e mjaftueshme për ratifikimin e kësaj marrëveshje, duhet ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës për ratifikim”, ka thënë Çollaku.