Colturi e pafat në garën e radhës në Jesna
Pas vendit të 13-të arritur ditën e shtunë në pistën sllovake të Jesna, gara e radhës në këtë pistë nuk ka qenë me shumë fat për skiatoren shqiptare Lara Colturi. Ajo nuk ka mundur dot ta përfundojë garën e sllallomit zhvilluar ditën e diele.
Colturi dha kohën 55”61 pas zbritjes së parë dhe arriti të kualifikohej mes 30 skiatoreve më të mira. Në zbritjen e dytë ajo nuk e përfundoi dot garën, duke mos dhënë dot kohë dhe duke u skualifikuar, pa mundur dot të marrë pikë. Gjithsesi, paraqitjet sezonale të Colturi kanë qenë shumë të mira, teksa po renditet gjithnjë e më shumë mes 15 skiatoreve më të mira në çdo garë.
Deri më tani, skiatorja kuqezi ka grumbulluar 127 pikë në garat e Kupës së Botës.
“Brenda ose jashtë, nuk ka rrugë të mesme”, është komenti në rrjetet sociale i Lara Colturi pas kësaj gare, që tregon se ka kërkuar më shumë nga vetja në pistë. Një skiatore që nuk ndalet para vështirësive e që kërkon gjithnjë e më shumë.