“Comsense” rekruton infermierë nga Kosova: Ishte sfidë që t’i bindim kompanitë gjermane se të rinjtë kosovarë janë punëtorë
Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë “Comsense”, e cila merret me rekrutimin e infermierëve në Gjermani, Lars-Peter Sonntag, në një intervistë për Ekonomia Online, ka shpalosur mundësitë e punësimit për të rinjtë kosovarë në këtë sektor.
Sonntag tha se ka vendosur që kompaninë e tij ta zgjerojë edhe në Kosovë, mes tjera vendesh, pasi që ka një mungesë infermierësh në Gjermani.
Tani për 3 vjet me radhë, “Comsense Kosova” rekruton infermierë kosovarë dhe i ndihmon në mësimin e gjuhës, gjetjen e punës, procesin e vizës, si dhe iu ofron vendbanim falas për 3 muaj.
Si sfidë kryesore që ka hasur në Kosovë, Sonntag ka përmendur bindjen e punëdhënësve në Gjermani për potencialin e mundshëm në Kosovë, e cila sfidë thotë se është tejkaluar dhe tashmë të rinjtë kosovarë janë të punësuar në shumë kompani të mëdha shëndetësore.
“’Comsense’ ka filluar qysh para 15-20 vitesh. Merret kryesisht me zhvillimin e personelit mjekësor. Para 15 vitesh e kam parë potencialin e mundshëm për mungesën e infermierëve, në bazë të parashikimeve demografike në Gjermani. Kemi filluar me vende të ndryshme si Spanjë, Rumani, Kroaci e kështu me radhë, por duke e parë nevojën e madhe që ka Gjermania, jam interesuar edhe për vende të tjera, të cilat janë më pro Evropës, me ç’rast kemi vendosur që ‘Comsense’ të vijë edhe në Kosovë”.
“Në Kosovë operojmë që 3 vjet dhe është interesante ta shohim procesin e zhvillimit të infermierëve, deri te punësimi në Gjermani. Më e rëndësishmja është që kandidatët e rinj ta dinë se ne i mbështesim dhe jemi aty për ata. I mbështesim edhe në zhvillim të vetvetes, jo vetëm në gjetjen e punës”, u shpreh ai.
Tutje, Sonntag tregoi se ka qenë sfiduese që t’i bindin kompanitë gjermane se populli shqiptar është punëtor, i përkushtuar me shkollim adekuat për profilet e kërkuara.
“Sfida më e madhe që kemi hasur ka qenë bindja e punëdhënësve në Gjermani për potencialin e mundshëm në Kosovë, për arsye se vendi nuk ka qenë shumë i njohur për ta. Është dashur t’i bindim se populli shqiptar është punëtor, i përkushtuar, ia del, dhe sigurisht se e kanë edhe një shkollim adekuat që përshtatet për këto profile të cilat kërkohen. Me kalimin e kohës është tejkaluar kjo sfidë dhe tani kemi shumë të rinj kosovarë të punësuar në klientë të mëdhenj shëndetësor”.
Një sfidë tjetër me të cilën “Comsense” u ballafaqua në Kosovë ka qenë edhe fitimi i besimit nga vetë të rinjtë, pasi që siç tregoi Sonntag ka pasur shumë agjenci të këtij lloji që i kanë “mashtruar”. Prandaj, edhe është dashur që ta dëshmojnë se janë ndryshe.
“Agjenci të ndryshme kanë ofruar mundësi punësimi për të rinjtë pa pasur bashkëpunëtorë në Gjermani, domethënë i kanë futur njerëzit në procese dhe i kanë lënë në gjysmë. Kështu që është rritur mosbesimi dhe kjo ka ndikuar në mosbesim edhe ndaj neve. Na është dashur ta dëshmojmë se ne jemi vërtet ndryshe, e jo një ndër këto agjenci”.
Sonntag për EO tregoi se ndihmojnë të rinjtë e interesuar në mësimin e gjuhës, gjetjen e punës, procesin e vizës, si dhe ju ofrojnë vendbanim falas për 3 muaj.
“Kjo është punë e cila shkon me premtime, premtim pas premtimi. Premtimi i parë është se do t’ua mësojmë gjuhën gjermane; premtimi i dytë për gjetjen e vendit të punës; premtimi tjetër për mbështetjen gjatë procesit të vizës, procesit të njohjes e kështu më radhë. Janë të gjitha premtime që deri tani i kemi mbajtur”.
Sonntag tha se shpeshherë kandidatët kanë pritshmëri të larta, prandaj kanë hasur edhe në sfidën e menaxhimit të pritjeve.
“Sfida tjetër është çështja e menaxhimit të pritjeve. Ka pritje të ndryshme të kandidatëve se deri ku shkon mbështetja ose në çfarë forme është mbështetja, ose çka i pret atje. Sfida e menaxhimit të pritjeve është nga të dyja anët – çka bëjmë ne por edhe se çka duhet të bëjë një kandidat’.
Ai tha se ka parë një vullnet ndryshe se për t’ua bërë rrugëtimin më të lehtë këtyre të rinjve, mbahen edhe trajnime.
“Kam parë një vullnet ndryshe tek të rinjtë e Kosovës, ndryshe prej vendeve të tjera të cilat janë afër BE-së. Është një vullnet, një forcë mbrapa këtyre të rinjve që nuk dorëzohen. Nuk presim që secili që shkon atje ka strategji, ta dijë ku të fillojë, t’i dijë qëllimet dhe hapat që duhet t’i ndjekë, prandaj edhe mbajmë trajnime që tua bëjmë më të lehtë rrugën me neve”, u shpreh Sonntag.