Conor McGregor në gjyq më 5 nëntor, shtyhet sërish rikthimi i tij në kafaz apo në ring
Conor McGregor, ish-kampioni i dyfishtë i botës në UFC, do të paraqitet para një jurie të Gjykatës së Lartë më 5 nëntor. Ai do t’u përgjigjet pretendimeve për sulm të supozuar prej tij, nga një incident në hotelin Beacon të Dublinit, në vitin 2018.
Irlandezi duhej të dilte para gjykatësit në korrik, por asokohe avokatët e “the notorius” arritën të siguronin një shtyrje të seancës, për t’i lejuar McGregor të rikthehej në kafaz. Ai duhej të duelonte ndaj Michael Chandler në UFC 303 në Las Vegas, por sfida u anulua. Më pas, McGregor kërkoi një shtyrje të dytë për një ndeshje boksi të paparalajmëruar, por kjo kërkesë u refuzua, pasi gjykata tashmë i kishte bërë atij një favor.
Kjo do të thotë se ai do të detyrohet të shfaqet muajin e ardhshëm në Dublin, megjithëse është e paqartë se sa do të zgjasin procedurat ligjore. Drejtori ekzekutiv i UFC-së, Dana White, e ka bërë tashmë të qartë se McGregor nuk ka gjasa të bëjë rikthimin e tij në tetëkëndësh deri në fillim të vitit 2025. Kështu, rikthimi i 36-vjeçarit në kafaz apo në ring, siç pretendon ai, do të shtyhet sërish pa afat deri në pranverën e vitit të ardhshëm.