William Zuckerman lindi në 1885 në Zonën e Banimit, në atë pjesë të Perandorisë ruse në të cilën hebrenjtë ishin kryesisht të kufizuar – në një vend të varfërisë dhe të pogromeve. Familja e tij ia doli të arratisej, duke emigruar në Amerikë në vitin 1900.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, Zuckermani u kthye në Evropë për të punuar me një organizatë bamirësie që ndihmonte ushtarët hebraiko-amerikanë. Më vonë u vendos në Londër, për të themeluar byronë evropiane të Der Morgen Zhurnal – të gazetës jidisho-amerikane që kishte ndikim të madh. Në vitin 1948, pasi u kthye në Amerikë e themeloi gazetën Jewish Newsletter – pikërisht kur lindi shteti i ri i Izraelit. Kolumnat e Zuckermanit u botuan në dhjetëra gazeta hebraike dhe ai u bë korrespondenti i Nju-Jorkut për British Jewish Chronicle.
Po të mos ishte një problem, Zuckermani nga establishmenti hebraik do të pranohej si model i figurës publik. Ai ishte kritik ndaj politikave të shtetit të sapokrijuar të hebrenjve, veçanërisht ndaj refugjatëve palestinezë, qindra mijëra prej të cilëve kishin ikur ose ishin dëbuar dhe tani u ndalohej kthimi. “Toka që tani quhet Izrael”, shkroi Zuckerman, “i përket refugjatëve arabë po aq sa çdo izraeliti”.
Avokimi i Zuckerman për refugjatët palestinezë, alarmoi diplomatët izraelitë të cilët me sukses organizuan një fushatë prapaskenash për të parandaluar botimin e punës së tij në shtypin hebraik. “Të nxitësh [gazetën] Jewish Newsletter që të heq dorë nga shërbimet e z. Zuckerman, kjo do të thotë të kesh kryer një micvah [vepër të mirë fetare] të vërtetë”, u ngazëllye një zyrtar.
Historia e Zuckermanit dhe e fshirjes së tij është një nga shumë rrëfimet e Geoffrey Levinit në librin e tij të ri Çështja jonë e Palestinës [Our Palestine Question], që flet për historinë e harruar të disidencës hebraike në Amerikë në dekadat pas themelimit të Izraelit. Është një nga disa rrëfimet që do të publikohen këtë vit, duke eksploruar kështu historinë e kundërshtimit të hebrenjve amerikanë ndaj sionizmit dhe mbështetjes së tyre për kauzën palestineze.
Këto studime ofrojnë një histori thelbësore për një nga debatet më të mprehta sot brenda komuniteteve hebraike: si t’i përgjigjemi sulmit vrasës të Hamasit më 7 tetor dhe sulmit të mëpasshëm të Izraelit në Gazë. Për shumë hebrenj, kërcënimi ekzistencial i paraqitur nga Hamasi ia jep të drejtën Izraelit që të marrë çdo masë të nevojshme për të eliminuar organizatën. Për të tjerët, pavarësisht nga tmerret e sulmit të Hamasit, shkatërrimi i Gazës, vdekja e më shumë se 25 mijë njerëzve dhe shpërngulja e pothuajse gjithë popullsisë është e pandërgjegjshme dhe e kundërta e traditave etike hebraike. Kjo ndarje ka çuar në debate të ashpra mbi atë se çfarë do të thotë të jesh hebre dhe cili është kuptimi i antisemitizmit.
Në ShBA, të dy temat janë të dukshme përmes pasojave të debaklit të Claudine Gayt të Universitetit të Harvardit. Gay, si presidente e Harvardit, dha një performancë të tmerrshme në dhjetor, në një komitet të Kongresit për antisemitizmin. Më pas, ajo u detyrua të jepte dorëheqjen, pasi kritikët e zbuluan plagjiaturën në punën e saj shkencore.
Në vazhdën e dorëheqjes së Gayt dhe kritikave ndaj Harvardit për zhgënjimin e studentëve hebrenj, u krijua një grup pune për antisemitizmin që do të kryesohej nga Derek Penslari – nga drejtori i Qendrës për Studime Hebraike të universitetit dhe një prej historianëve më të shquar të judaizmit.
Megjithatë, për shumë njerëz Penslari është, siç ishte Zuckerman për një brez të mëparshëm, lloji i gabuar i hebrenjve – tepër kritik ndaj Izraelit dhe jo sa duhet armiqësor ndaj antisionizmit. Kongresmenja republikane Elise Stefanik – e cila kishte kryesuar komitetin ku Gay e pësoi – denoncoi “pikëpamjet e tij të neveritshme antisemitike”. Jonathan Greenblatt i Ligës Anti-Shpifje, e akuzoi atë për “shpifje ndaj shtetit hebraik”. Bill Ackman, menaxheri i fondit mbrojtës që udhëhoqi fushatën fillestare kundër Gayt, paralajmëroi se Harvardi po vazhdon “në rrugën e errësirës”.
Në vitin 2021, një ese në revistën hebraike Tablet i etiketoi si “johebrenj” ata hebrenj që janë kritikë ndaj Izraelit ose ndaj sionizmit. Tre vjet më vonë, ky është përshkrimi që duket se ka marrë jehonë më të madhe.
Mbase izolimi zyrtar i “johebrenjve” në asnjë vend nuk është më i rrënjosur sesa në Gjermani. “Të jesh hebre i majtë në Gjermaninë e sotme, do të thotë të jetosh në një gjendje të disonancës së përhershme konjitive”, thotë Susan Neiman, filozofe hebraiko-amerikane dhe drejtoreshë e Forumit të Ajnshtajnit në Potsdam. “Politikanët dhe mediat gjermane flasin pandërprerë për mbrojtjen e hebrenjve nga antisemitizmi”, por shumëkush nga ata që “kritikojnë qeverinë izraelite dhe luftën në Gazë janë anuluar dhe me siguri janë sulmuar. Jam shtetase izraelit dhe në mediat kryesore jam akuzuar si mbështetëse e Hamasit, madje edhe si naziste. A duhet të shtoj se nuk përkas me asnjërën nga këto”?
Gjermania ka ndaluar shumë kritika ndaj Izraelit (si p.sh. përshkrimi si “aparteid” i trajtimit të tij ndaj palestinezëve) dhe ka ndaluar shumë shprehje të solidaritetit me kauzën palestineze. Objektivat kryesore kanë qenë myslimanët, por edhe mbështetësit hebrenj të të drejtave palestineze janë ndaluar dhe arrestuar. Sipas studiueses Emily Dische-Becker, pothuajse një e treta e të anuluarve në Gjermani – për antisemitizmin e tyre të supozuar – kanë qenë hebrenj. Ka, siç ka thënë arkitekti dhe akademiku me origjinë izraelite Eyal Weizman, njëfarë ironie në “mbajtjen e leksioneve [se si duhet të jesh tamam hebre] nga fëmijët dhe nga nipërit e autorëve që vranë familjet tona dhe që tani guxojnë të na thonë se jemi antisemitë”.
Për shumë mbështetës të Izraelit, historia e vuajtjeve të hebrenjve, që kulmoi me Holokaustin, e ka bërë të nevojshme mbrojtjen e kombit dhe ruajtjen e sigurisë së tij me çdo kusht. Për disidentët, është pikërisht ajo histori që krijon domosdoshmërinë morale për të mbrojtur të drejtat palestineze.
Ajo që nxiti kritikët hebrenj, veçanërisht kundër politikave izraelite ndaj refugjatëve palestinezë në fund të viteve 1940 dhe 1950, ishte, siç tregon Levini, lidhja e tyre me traditat hebraike që refuzojnë diskriminimin ose barbarizmin kundër çdo grupi. “Shtypja duhet luftuar kudo”, ka thënë Don Peretz, studiues në Komitetin Hebraik Amerikan dhe mbrojtës i refugjatëve palestinezë të cilët, si Zuckermani, u vunë në shënjestër të zyrtarëve izraelitë. Është pikërisht kjo që nxit kritikët e sotëm si Neimani. Gjermanët, sugjeron ajo, “kanë harruar thellësinë e traditës universale në judaizëm, e cila bazohet në Bibël”.
Përjashtimi i zërave të tillë të kritikës si “johebrenj”, madje edhe antisemitë, ka gjithashtu rrënjë të thella. Fushatat bashkëkohore kundër figurave si Penslar dhe Neiman i bëjnë jehonë atyre kundër Zuckermanit dhe Peretzit 70 vjet më parë.
Ajo që e bën të gjithë këtë veçanërisht shqetësuese, vëren Neiman, është rritja e antisemitizmit në Gjermani dhe gjetkë. Në vend që të kontrolloni intelektualët dhe aktivistët hebrenj “duke këmbëngulur në besnikërinë e pakushtëzuar ndaj Izraelit” dhe “duke nënvlerësuar vuajtjet në Gazë”, ajo që nevojitet, argumenton Nieman, është të mbështeten ata individë dhe organizata që po ndërtojnë forma solidariteti që mund të sfidojnë antisemitizmin dhe fanatizmin antimysliman, si dhe promovimin e drejtësisë në Palestinë dhe në Izrael. /Telegrafi/