Coronavirusi në Kinë, nuk anulohen Lojërat Olimpike
Coronavirusi i shpërthyer në Kinë ka ndezur sinjalet e alarmit në mbarë botën dhe këtu përfshihet edhe ajo sportive.
Së fundmi është folur për mundësinë e anulimit të Lojërave Olimpike në Tokio që do të zhvillohen këtë vit dhe kjo ndodh kur kanë mbetur edhe 162 ditë nga ceremonia e hapjes së ngjarjes më të rëndësishme sportive, por Komiteti Organizativ nëpërmjet presidentit të tij, Yoshiro Mori, mohoi zërat pas një takimi të zhvilluar me zyrtarët e lartë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Mori theksoi se zërat e shfaqura në lidhje me këtë çështje janë prej të papërgjegjshmish dhe se askush nuk po mendon t’i shtyjë apo të anulojë Lojërat Olimpike. Ai shtoi se Komiteti Organizativ do të donte të bashkëpunonte me qeverinë japoneze dhe të veprohej me shumë qetësi.
Ndërkaq, për shkak të coronavirusit janë bërë një sërë ndryshimesh në kalendarin e ngjarjeve sportive në kontinentin aziatik dhe këtu përfshihen kualifikueset për në olimpike në boks dhe basketboll, të gjitha në Kinë. Ndërkaq Çmimi i Madh i kinës në F1 u shty, por në rrezik është edhe gara e Vietnamit. Nga ana e tij, Guvernatori i Tokios, Yuriko Koike, premtoi marrjen e masave rigoroze për t’i mbrojtur njerëzit nga coronavirusi gjatë përgatitjeve për Lojërat Olimpike.