CorrWatch: Ministria e Mbrojtjes shkeli ligjin me procedurat për furnizim të ushqimit në FSK
Organizata CorrWatch ka ngritur shqetësime mbi procedurat e Ministrisë së Mbrojtjes (MM) për furnizimin me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Sipas tyre, emergjenca e shkaktuar vjen nga neglizhenca e Ministrisë së Mbrojtjes, dhe kjo është një “shkelje e qartë e nenit 35 të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP)”.
CorrWatch ka theksuar se ministria ka zhvilluar një procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, duke u justifikuar me emergjenca ekstreme.
Përveç kësaj, ministria është thënë se ka bërë një sërë shkeljesh të tjera gjatë negocimit.
Sipas kësaj organizate, vetëm tre operatorë ekonomikë janë ftuar në negocim, duke shkelur nenin 7.1, që parashikon se “AK nuk do të ekzekutojë asnjë aspekt të aktivitetit të prokurimit në një mënyrë që redukton apo eliminon konkurrencën”.
“Që nga shkurti i vitit 2024 kur për herën e dytë është anuluar AP ‘Shërbimet me ushqim.. për nevoja të FSK-së’, MM nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të iniciuar procedurë të hapur. Pas kësaj, me datë 03 prill 2024, MM ka lidhur kontratë të negociuar e cila ka skaduar me 30 shtator 2024. MM, me datë 19 shtator 2024 ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës së re në procedurë të negociuar, duke u thirrur në emergjenca ekstreme, me vlerën e kontraktuar 2,149,000.00 euro”, është thënë në komunikatën e lëshuar nga konsorciumi i organizatave i përbërë nga GLPS, GAP dhe INDEP.
Gjithashtu, CorrWatch ka njoftuar se janë shpërblyer operatorë ekonomikë që nuk i kanë plotësuar kërkesat e dosjes së tenderit.
Më 15 tetor, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se aktiviteti i prokurimit ishte anuluar, por sipas CorrWatch, ky veprim tregon dështimin e tyre në përmbushjen e obligimeve të saj ligjore.
CorrWatch ka bërë thirrje për reflektim nga institucionet dhe hallkat përgjegjëse mbi këto procedura të kundërligjshme.