Courtois konfirmon mungesën në ‘Euro 2024’
Thibaut Courtois ka bërë me dije se nuk do të luajë Kampionatin Evropian me Belgjikën për shkak të gjendjes fizike.
Portieri i njohur këputi ligamentet e kryqëzuara të gjurit para disa muajsh dhe mungesa e tij në “Euro 2024” duket e pashmangshme.
“Së pari do të më duhet të rikuperohem 100 %. Më mirë të mos caktosh një datë. Për shkak të këtij dëmtimi nuk do të luaj Kampionatin Evropian. Nëse do të jem me fat, do të mund të luaj një ndeshje në maj, por kurrë nuk do të jem 100 % siç duhet për një turne të madh si kampionati evropian”, ka thënë Courtois. “Mendoj se është më mirë të jem i sinqertë me Belgjikën. Nuk do të jem në portë nëse jam në 80 % për sa kohë kemi portierë të tjerë të mirë. Do të la mënjanë krenarinë time dhe do të jem thjesht tifoz në qershor”, ka deklaruar “gardiani” belg. Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, ka luajtur jo pak për Kombëtaren e Belgjikës, por 102 ndeshje.