Cousins: Erdha te Warriorsi për ta fituar titullin
Një javë më parë Golden State Warriors tronditi merkaton në ShBA duke nënshkruar me DeMarcus Cousins.
Skuadra nga Oakland do të ketë një pesëshe titulluare, e gjitha e përbërë nga All Star. I vetmi pozicion ku kampionët në fuqi kishin probleme ishte ai i qendrës, por me ardhjen e 27-vjeçarit blindohet në të gjitha drejtimet skuadra e drejtuar nga Steve Kerr. Djaloshi nga Alabama, i cili sezonin e fundit ishte pjesë e New Orleans Pelicansit, u prezantua si afrimi më i rëndësishëm i Golden State dhe tregoi arsyet që e bënë ta pranonte ofertën e kalifornianëve.
“Përpara se të firmosja më telefonuan të gjithë lojtarët e Warriorsit dhe më thanë: ‘eja të fitojmë një tjetër titull!’ Më bindi entuziazmi i tyre. Kanë fituar tituj, por janë ende të etur për trofe. Pashë tek ata motivim maksimal, sikur të mos kishin fituar asgjë, ndërkohë që janë kampionët në fuqi, kjo më bindi plotësisht të vija në Oakland”. Cousins aktualisht po rikuperohet nga dëmtimi i rëndë që pësoi në janar. 27-vjeçari këputi tendinin e akilit dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
“Boggie” nuk la pa prekur edhe këtë temë, megjithëse nuk fiksoi një datë për rikthimin e tij në parket. “Rehabilitimi ka shkuar shumë mirë. Çdo ditë e ndiej veten më të fortë. Sa i përket datës së rikthimit, këtë nuk mund t’jua konfirmoj, por me kalimin e javëve do të ulemi me mjekun dhe trajnerin dhe do të përcaktojmë se kur do të jem në fushë”, ka deklaruar ai.