Covid-19/ 11 milionë banorë në radhë për testim, nuk e ndal as shiu
Rezidentët e Wuhanit në Kinë janë vendosur në radhë duke sfiduar dhe reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin, për të marrë pjesë në fushatën e nisur nga qeveria për të testuar 11 milionë banorët e këtij qyteti nëse janë të prekur nga koronavirusi, një ngjarje kjo që për nga përmasat konsiderohet nga autoritetet shëndetësore si e paprecedentë.
Fushata në epiqendrën e dyshuar të pandemisë së koronavirusi do të zgjasë 10 ditë dhe erdhi pas shpërthimit të vatrave të reja të të infektuarve që sollën shqetësimin e autoriteteve për një valë të dytë të mundshme.
Në një kohë kur Wuhani qëndroi për më shumë se 76 ditë i izoluar, i gjithë shqetësimi është se sa persona asimptomatikë mund të ketë qyteti, të cilët mund të infektojnë dhe persona të tjerë me virusin e ri vdekjeprurës.
Autoritetet bëjnë me dije se kanë si qëllim të testojnë 11 milionë rezidentë, me prioritet kryesor, nxënësit e shkollave, mjekët, punonjësit e transportit, marketeve dhe qytetarëve që hyjnë dhe largohen nga Wuhani për punë.