Covid-19 godet edhe sigurimet në Shqipëri

03 gusht 2020 | 15:56

Situata e krijuar nga Covid-19, kufizimi i lëvizjeve, rënia e të ardhurave tek qytetarët, papunësia në rritje, duket se ka sjellë pasoja edhe në tregun e sigurimeve. Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit në gjysmën e parë të vitit arritën vlerën e rreth 7,5 miliardë lekëve, ose 6.66 për qind më pak se në periudhën janar–qershor 2019.

Ndërkohë në rënie me 26.45 për qind regjistrohet edhe numri i kontratave të sigurimit të lidhura, duke arritur në rreth  435 mijë.  Referuar të dhënave të AMF-së, tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën afro 93.5 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.5 për qind. Edhe pse dominojnë tregun, primet e sigurimit të detyrueshëm motorik ranë me 6.7 për qind në gjysmën e parë të vitit, ku ndikimin me të madh negative e ka dhënë sigurimi kufitar dhe kartoni jeshil, për shkak të mbylljes së kufijve si pasojë e masave të marra ndaj Covid-19 dhe kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, shkruan “scantv”.

Po ashtu, primet nga sigurimet e jetës gjatë periudhës janar–qershor 2020, arritën rreth 490 milionë lekë, ose 19.76 për qind  më pak se në periudhën janar–qershor  2019. Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4 miliardë lekë, ose 46.75 për qind më shumë se në periudhën janar–qershor 2019.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në…