Covid-19/ Hotelet bosh, të pastrehët detyrohen të flenë në parkim
Disa fotografi kanë krijuar skandal të madh në Shtetet e Bashkuara, aq sa edhe vetë Papa Françesku ka reaguar i indinjuar.
Bëhet fjalë për sistemimin e disa të pastrehëve në Las Vegas. Streha e tyre e zakonshme u mbyll sepse një person u gjet i infektuar me koronavirus. Por zgjidhja e autoriteteve amerikane ishte e diskutueshme, edhe pse e përkohshme.
Në vend që të shfrytëzoheshin një nga rreth 100 hotelet të mbetura bosh në qytetin tashmë pa turistë, ose të paktën ambientet e ndonjë palestre ose godine të mbyllur, të pastrehët u detyruan të mblidheshin në një parking të një qendre tregtare.
Aty, bashkë me ndonjë shishe ujë dhe panine, iu caktua secilit një katërkëndësh i vizatur, pikërisht parkimi i një automjeti, ku mund të vendosnin dyshekun dhe të shtriheshin duke mbajtur distancën prej 2 metra.
Pamjet u komentuan gjerësisht si fyese dhe që preknin rëndë dinjitetin e atyre personave, sidomos në një situatë emergjence si kjo, kur moshat e thyera janë më të ekspozuara nga pandemia.
Edhe Papa Françesku komentoi fotot, duke thënë se janë ”një goditje në zemër, këto ditë trishtimi evidentojnë shumë probleme të fshehura në shoqëri”.