Covid-19, i ashpër në Amerikë: mbi 20 000 raste të reja
Së paku 20 260 raste të reja me koronavirus janë shënuar të martën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”.
Përpos rasteve të infektimeve, gjatë 24 orëve të kaluara në këtë shtet u regjistruan 1 574 viktima të reja, shkruan “CNN”, transmeton Express.
Në këtë mënyrë, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 1 523 568 persona, ndërsa numri i viktimave në 91 921. Këto shifra i bëjnë Shtetet e Bashkuara vendin bindshëm më të prekur në botë nga sëmundja e re.
Shifrat e reja përfshijnë rastet nga 50 shtetet, Distrikti i Kolumbisë dhe territoret e tjera amerikane si dhe rastet e personave të riatdhesuar.
Pavarësisht numrit të madh të rasteve me Covid-19, qeveria amerikane është e vendosur që ta riaktivizojë ekonominë dhe ka filluar t’i largojë masat kufizuese.