COVID-19 i shndërron qelizat e pacientit në “fabrika të viruseve”
Sipas ekspertëve kur COVID-19 sulmon, ai e kthen qelizën e pacientit në një “fabrikë virusesh”. Ai e nis me sipërfaqen e qelizës, ku virusi ngjitet në një proteinë që normalisht ndihmon për rregullimin e presionit të gjakut të pacientit.
Pa dashur, qeliza e fut virusin brenda, aty ku “sulmuesi” shkarkon ngarkesën e tij dhe nxit atë (qelizën) të prodhojë më shumë viruse. Virusi komandon mekanizmat e vet qelizës për t’u bërë kopje kodit të tij gjenetik, duke prodhuar më shumë viruse, e duke shpërndarë mikrobe të tëra në sipërfaqen e qelizës, gjë që çon në infektimin e më shumë qelizave të tjera.
“Ne nuk kemi luksin e një programi pesë-vjeçar për zbulimin e ilaçit. Kemi nevojë për diçka tani”, thotë Warner Greene, mjek e studiues në Institutin “Gladstone” të Virologjisë dhe Imunologjisë, shkruan VOA.
Kërkimet janë përqëndruar tek disa ilaçe që shihen si “kandidatë” potencialë e çuditshëm njëkohësisht, siç janë ilaçet kundër kancerit, ato ndaj sëmundjes së zemrës, një ilaç kundër skizofrenisë dhe një trajtim për sëmundjen e Parkinsonit. Aktualisht po kryehet testimi me klorokinën, një ilaç kundër malaries./Shqip