Covid-19, Japonia ndihmon Kosovën me pajisje mjekësore në vlerë 810,000 euro
Pajisje mjekësore në vlerën prej 810,000 euro u dhuruan sot nga Qeveria e Japonisë, në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve spitalore në funksion të rritjes së kapaciteteve dhe shërbimeve shëndetësore për përballimin e pandemisë.
Me arritjen e këtyre pajisjeve është implementuar plotësisht marrëveshja për dhënien e pajisjeve, e nënshkruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Japonisë.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës ishin të pranishëm ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Mitsunori Ogasawara.
Vitia ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjithë ata që na kanë qëndruar pranë, siç është populli japonez dhe qeveria e Japonisë.
Ogasawara ka theksuar se Japonia ka qëndruar përkrah Kosovës gjatë gjithë kohës së vështirë të Covid-19 dhe do të qëndrojë e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në forcimin e sektorit të saj shëndetësor
Nga mbështetja e Japonisë janë dhuruar 7 monitorë shtrati, 3 Termografë, 2 aparate me ultratinguj dhe 1 radiografi mobile.
Pajisjet do të shpërndahen kryesisht në spitalet e përgjithshme, si dhe klinikat e ShSKUK-së.