Covid-19 në Gjilan, Haziri kërkon nga qytetarët të vetëpërmbahen

01 maj 2020 | 13:08

Komiteti për menaxhimin e emergjencave në Gjilan, i udhëhequr nga kryetari Lutfi Haziri, ka shfaqur gëzimin që lakorja e infeksionit me Covid-19 po shkon drejt zeros.

Pas takimit të këtij komiteti është thënë se nga 130 mostrat e marra dje nga kjo komunë, që të gjitha rezultuan negative.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se pavarësisht se ditëve të fundit nuk ka pasur asnjë rast pozitiv, qytetarët duhet të vazhdojnë të vetëpërmbahen sepse, siç ka theksuar, akoma nuk ka përfunduar lufta kundër Covid-19.

Ndërsa nënkryetari Arbër Ismajli, ka falënderuar shtabin emergjent të Gjilanit, i cili është gjithëpërfshirës, për punën dhe angazhimin e madh kundër përhapjes së Covid-19.

Kurse drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, dr. Ajhane Sefiu, është shprehur e lumtur që testet e fundit kanë rezultuar negativ, ndërkaq ka shtuar se kjo nuk do të thotë se jemi të lirë të veprojmë si më parë.

Ndërkohë drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm, dr. Ukshin Ismaili, ka thënë se duhet të vazhdojë disiplina dhe vetëpërmbajtja e qytetarëve, duke ripërsëritur slogranin ‘dimë, duam dhe ia dalim’.

Në anën tjetër, drejtori i QKMF-së në Gjilan, dr Fejzulla Berisha, ka thënë se janë në drejtim të mirë, duke shfaqur shpresën se do t’ia dalin bashkërisht si ekip.

Në emër të policisë ka folur majori Alban Ramushi, derisa në emër të Njësisë së Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, ka folur Rabit Murseli, të cilët kanë kërkuar nga qytetarët që të vazhdojnë t’i respektojnë masat kundër përhapjes së virusit “Korona”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati Dastid Pallaska, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka cituar…