Covid-19 në Kosovë: 5 237 raste pozitive, 2 462 të shëruar, 112 të vdekur dhe 2 663 raste aktive

15 korrik 2020 | 18:08

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK) ka njoftuar për 119 rate pozitive dhe 92 të shëruar me Covid-19 në 24 orët e fundit. Ndërsa sa i përket bilancit të përgjithshëm me Covid-19, IKShPK-ja ka njoftuar për 5 237 raste pozitive, 2 462 të shëruar, 112 të vdekur dhe 2 663 raste aktive.

“Më datën 14 korrik 2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK, me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 420 mostra të marra nga ShSKUK-ja dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 119 raste pozitive. Numri total i rasteve pozitive është 5 237 raste nga 29 060 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 112 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Më datë 14 korrik 2020 janë shëruar 92 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 2 462 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2 663”, ka njoftuar IKShPK-ja.

Nga 119 rastet e reja me Covid-19, sipas IKShPK-së, Prishtina renditet e para me 63 raste, e pasuar nga Gjakova dhe Drenasi. “Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 63 raste, komuna Gjakovë 12 raste, komuna Drenas 6 raste, komuna Fushë-Kosovë 5 raste, komuna Pejë 5 raste, komuna Podujevë 5 raste, komuna Skenderaj 3 raste, komuna Ferizaj 2 raste, komuna Deçan 2 raste, komuna Gjilan 2 raste, komuna Istog 2 raste, komuna Kaçanik 2 raste, komuna Lipjan 2 raste, komuna Vushtrri 2 raste, komuna Obiliq 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Kamenicë, Kllokot, Mitrovicë dhe Rahovec”, ka njoftuar IKShPK-ja.

Më tutje, IKShPK-ja ka ftuar qytetarët që t’i respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore për mbrojtje nga Covid-19.

“Virusi është kudo! Ju lutemi përmbahuni rekomandimeve! Virusi vret! Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që ta ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët. Bartja e maskave mbetet obligative! Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte ta respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura. Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për ta mbajtur higjienën, për ta mbajtur distancën, për ta mbajtur maskën, për t’i mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, pastaj të gjithë qytetarëve”, ka njoftuar IKShPK-ja, duke shtuar se çdo shkelje e rekomandimeve të institucioneve shëndetësore nënkupton rrezikim i shëndetit.

“Inspektoratet sanitare të AUV dhe inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër ta zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e Covid-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar. Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe moszbatimit të rekomandimeve. Vazhdoni ta mbani distancën fizike dhe maskat! Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda. Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm! Ju lutem të keni kujdes, sepse akoma ekziston rreziku i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve!”, ka njoftuar IKShPK-ja.

Ministri Zemaj: Do t’i rrisim kapacitetet për testime me Covid-19

Statistikat me Covid-19 janë prezantuar të mërkurën në një konferencë për media edhe nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi. Në këtë konferencë, ministri Zemaj ka bërë me dije se tash e tutje informatat në lidhje me Covid-19 do të bëhen publike çdo ditë në orën 15:00. Në këtë kontekst, Zemaj ka thënë se do t’i rrisin kapacitetet për testime për Covid-19, duke përfshirë klinikat shtetërore dhe private. “Do t’i zgjerojmë kapacitetet tona edhe për klinikat private, por edhe të atyre publike. Sigurisht se do t’i rrisim kapacitet e testimeve ashtu siç kanë rekomanduar ekspertët e IKShPK-së dhe të OBSh-së”, ka thënë Zemaj, duke falënderuar mediat për raportimet e tyre korrekte në lidhje me situatën pandemike.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka dhënë detaje lidhur me numrin e pacientëve që kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, të cilët janë duke u trajtuar në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet regjionale. Krasniqi ka thënë se në klinikat e QKUK-së aktualisht janë duke u trajtuar 494 pacientë të konfirmuar dhe të dyshuar për Covid-19, duke shtuar se 13 prej tyre janë në gjendje kritike. “Sot nëpër klinikat Covid të QKUK-së dhe në spitalet rajonale të Kosovës janë duke u trajtuar 494 raste të dyshuar për Covid-19. 314 raste janë të konfirmuar me Covid-19. Nga 314 raste, 177 pacientë po trajtohen në klinikat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe 137 të tjerë në spitalet regjionale. Nga numri total kemi 13 pacientë në ventilim mekanik ose si të intubuar apo i vlerësojmë në gjendje kritike, dhe kemi 23 pacientë të tjerë i kemi me metodë joinvazive të ventilimit apo të njohur si ‘cipar’”, ka thënë Krasniqi.

(F.D/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy vdekje të reja si pasojë e koronavirusit janë regjistruar…