Covid-19, ShSKUK-ja pezullon pushimet vjetore deri më 1 gusht
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka ndërmarrë hapat e nevojshëm konform detyrave, përgjegjësive dhe legjislacionit në fuqi, duke bërë riorganizim dhe mobilizim të përgjithshëm në të gjitha klinikat, por edhe spitalet e përgjithshme nën menaxhim të ShSKUK-së.
ShSKUK-ja ka theksuar se në koordinim me Qeverinë e Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë, Federatën Sindikale të Shëndetësisë, Odën e Mjekëve dhe odat tjera profesionale, ka pezulluar të gjitha pushimet vjetore deri më 1 gusht 2020 për të gjithë të punësuarit në institucionet publike nën menaxhim të ShSKUK-së, përfshirë stafin shëndetësorë dhe tekniko-administrativ.
Po ashtu, të gjitha spitalet janë obliguar që të krijojnë hapësira shtesë, krahas hapësirave aktuale që kanë për trajtim të pacientëve të dyshuar dhe konfirmuar me Covid-19.
Janë ndërmarrë masa që edhe në QKUK të krijohen hapësira shtesë.
Në Klinikën e Neurologjisë shpejt do të jenë të gatshme hapësirat për pranim të pacientëve të dyshuar me Covid-19. (F.D / Epoka e re)