Covid-19/ Situatë katastrofike në Perunë, nuk ka shtretër për pacientët
Spitalet në fushë të hapur janë kthyer në një nevojë dhe brenda klinikave publike situata është bërë kaotike. Kjo video e siguruar nga CNN tregon një qendër mjekësor në Lima të Perusë, ku dhjetëra pacientë presin të mjekohen në karrocë me rrota, pasi shtretërit nuk janë të disponueshëm.
Kreu i shoqatës kryesore të mjekëve në Peru e përshkruan pandeminë në shtetin amerikano-latin, si katastrofike. Sistemi shëndetësor sipas tij është pranë kolapsit, ndërsa niveli i vdekshmërisë në vendin me 32 milionë banorë është 10 humbje jetësh për 100 mijë persona.
Situata është po aq e rëndë sa në Brazil, fqinji më i madh në lindje të tij, me një popullsi gati 7 herë më të madhe se sa e Perusë. Mjekët janë të detyruar të bëjnë zgjedhje të vështira duke iu dhënë prioritet atyre me më shumë shanse për të mbijetuar.
Ekipe infermierësh dhe doktorësh udhëtojnë vazhdimisht në zonat më të goditura. Bashkë me kryeqytetin Lima edhe rajoni i xhunglës dhe ai verior janë kthyer në epiqendër të pandemisë. Është një mision i rrezikshëm. Sipas shoqatës së mjekëve në Peru, më shumë se 30 pjesëtarë të bluzave të bardhe kanë humbur jetën nga virusi.