Covid-19, vaksina eksperimentale hyn në fazën e fundit
Prova më e madhe deri më sot e një vaksine eksperimentale për Covid-19 filloi të hënën me të parët e një grupi prej gati 30,000 amerikanësh që përveshën mëngët për të marrë vaksinën e krijuar nga qeveria amerikane si pjesë e garës gjithëpërfshirëse globale për të ndaluar shpërthimin e virusit vdekjeprurës.
Testimi në fazën përfundimtare të vaksinës, zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe kompania Moderna Inc., filloi me vullnetarë në qendra të shumta amerikane duke u dhënë një dozë të vërtetë të vaksinës ose thjesht një injektim fallco. “Po marrë pjesë në testim pasi jam një punonjëse e kujdesit shëndetësor në pension dhe i kuptoj mirë sfidat që Covid-19 i ka shkaktuar komunitetit, shtetit dhe gjithë vendit”, ka thënë pjesëmarrësja Karen Juser, e cila mori injeksionin në Binghemton të Nju Jorkut.
Do të kalojnë disa muaj përpara se të merren rezultatet, dhe nuk ka asnjë garanci që vaksina përfundimisht do të funksionojë kundër virusit që ka vrarë rreth 650,000 njerëz në të gjithë botën, përfshirë gati 150,000 në ShBA.
Shkencëtarët vendosën rekorde të shpejtësisë për zhvillimin e vaksinës me një provë kaq masive vetëm disa muaj pas shfaqjes së koronavirusit. Por ata theksuan se publiku nuk duhet të frikësohet se vaksina nuk është e sigurt. “Ky është një moment historik domethënës”, ka thënë drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, Francis Collins pasi u dha injeksioni i parë i provës.
Pasi vullnetarët të marrin dy doza një muaj larg njëra tjetrës, shkencëtarët do të ndjekin nga afër për të pare se cili grup përjeton më shumë infeksione, ndërsa vazhdojnë rutinën e tyre të përditshme, veçanërisht në zonat ku virusi po përhapet pa kontroll.
Disa vaksina të tjera të zhvilluara nga Kina dhe nga Universiteti i Oksfordit në Britani filluan prova më të vogla në fazën përfundimtare në Brazil dhe vende të tjera të goditura në fillim të këtij muaji.