Covid-19, vetëm 45% e të rinjve thonë se mbajnë maskë rregullisht në publik
Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka realizuar një sondazh të ri me të rinjtë në Kosovë, përmes U-Report. Kësaj radhe janë pyetur të rinjtë për qëndrimet e tyre rreth virusit Covid-19.
1618 të rinj iu kanë përgjigjur sondazhit dhe kanë shprehur qëndrimet për masat parandaluese Covid-19. Gjithashtu kanë bërë të ditura masat që po marrin ata vetë, dhe ato të miqve e shoqërisë së tyre të gjerë për t’u mbrojtur nga virusi.
Kosova, ngjashëm sikurse rajoni, kohëve të fundit ka shfaqur një rritje të rasteve të të infektuarve me Covid-19, pas lehtësimit të kufizimeve dhe përfundimit të izolimit. “86 për qind e pjesëmarrësve në anketë besojnë se duke mbajtur maskën ata e mbrojnë veten, të tjerët, ose të dy palët, por vetëm 45 për qind thanë se mbajnë maskë rregullisht në publik”, thuhet në këtë sondazh.
Sipas këtij sondazhi, disa të rinj janë skeptikë për faktet rreth virusit dhe masat paraprake të nevojshme.
“2 për qind e pjesëmarrësve në anketë mendojnë se mbajtja e maskës ka një efekt negativ. 10 për qind e pjesëmarrësve në anketë mendojnë se virusi nuk është i rrezikshëm apo nuk ekziston. 5 për qind deklaruan se nuk kanë ndërmarrë ndonjë masë mbrojtëse kundër Covid-19 në dy javët e fundit. 7 për qind e pjesëmarrësve në anketë deklaruan se do të vazhdonin të takonin një shok/shoqe të infektuar me Covid-19, pa ndonjë masë mbrojtëse (maskë, dorëza, distancë) – të gjithë prej tyre meshkuj. 26 për qind i konsiderojnë shqetësimet e njerëzve për Covid-19 si të ekzagjeruara”, theksohet në këtë sondazh.
Shumica e U-Raportuesve thonë se janë më të kujdesshëm mbi masat e parandalimit sesa miqtë e tyre?
“Megjithëse 45 për qind e U-Raportuesve thanë se mbajnë maskë kur janë në publik, ata deklarojnë se e njëjta gjë nuk ndodh kur pyeten për miqtë e tyre, me ç’rast shifrat bien në vetëm 16 për qind të miqve të tyre që mbajnë maskë”, theksohet në sondazh.
U-Report është një platformë që përdoret nga të rinjtë për të shprehur mendimet e tyre për çështje kritike në komunitetet e tyre.
(M.Q / Epoka e re)