Covid-19, Zemaj: Kemi një situatë më të qetë
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në konferencën për media, ka thënë se falë punës së përbashkët të gjitha institucioneve shëndetësore, Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK-së, SHSKUK-së, Kujdesit Parësor, kryetarëve të komunave, Policisë, Inspektorateve, zjarrfikësve dhe shërbimeve të tjera, për momentin kemi një situatë më të qetë sa i përket Covid-19.
Si rezultat i kësaj, Zemaj ka theksuar se Qeveria e Kosovës dje ka miratuar rekomandimet e MSh-së për lirimin e disa masave që kanë të bëjnë më heqjen e kufizimeve në lëvizje, zgjatjen e orarit të gastronomisë, lejimin e disa aktiviteteve sportive e kulturore, dhe disa masave të tjera, të cilat u japin më shumë frymëmarrje veprimtarive të tjera, me qëllim që edhe ato të zhvillohen gradualisht pas një fazë të vështirë si për sektorin shëndetësor, ashtu edhe për ekonominë dhe sektorët e tjerë.
“Të gjitha aktivitetet e lejuara dhe ato që janë lejuar më parë duhet të zhvillohen duke u bazuar ekskluzivisht në protokollet përkatëse sektoriale dhe në udhëzimet e Manualit për ndalimin e përhapjes së Covid-19”.
“Që të lehtësojmë zbatimin e masave, unë kam nënshkruar dje edhe vendimin për masat e përgjithshme mbrojtëse dhe për përdorimin e maskës mbrojtëse në mënyrë obliguese, kurse, me qëllim që qytetarëve t’u lehtësojmë informimin se ku duhet dhe ku nuk duhet bartur maskën dhe gjithashtu edhe institucioneve zbatuese, kemi vënë në dispozicion për të gjitha palët, qysh mbrëmë edhe Udhëzuesin për përdorimin e maskës mbrojtëse dhe mbulesave të fytyrës në komunitet të përgatitur nga ekspertët tanë, duke u referuar edhe në praktikat dhe udhëzimet që kanë bërë OBSH dhe ECDC”, ka thënë Zemaj.
Ministri Zemaj ka pohuar se janë duke punuar që jo vetëm të marrim masa, por edhe të lehtësojnë zbatimin e tyre.
“Në të njëjtën kohë të rrisim edhe monitorimin me qëllim që të ruajmë shëndetin publik që është prioriteti i parë.
Për këtë qëllim, këto ditë do të shtojmë numrin e inspektorëve për 75, që bashkë me Policinë e Kosovës do të ndihmojnë në zbatimin e masave të reja”, ka deklaruar Zemaj.
(Q.R / Epoka e re)