Cramoni: Mosliberalizimi i vizave për Kosovën dështim i BE-së, frustrues qëndrimi i Francës
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se është shumë frustruese që Franca dhe disa vende të tjera të BE-së, akoma janë skeptike dhe kanë dyshime se a duhet t’i hiqen vizat qytetarëve të Kosovës.
Ndër tjerash, Viola von Cramon, mosliberalizimin e vizave për Kosovën e cilësoi një dështim të Bashkimit Evropian, përderisa Kosova i ka plotësuar kushtet tash e pesë vite më parë.
“Është shumë frustruese që Franca dhe disa vende tjera të BE-së akoma janë skeptike dhe kanë dyshime se a duhet t’i hiqen vizat qytetarëve të Kosovës, përderisa Kosova i ka plotësuar kriteret. Unë personalisht jam e befasuar me këtë skepticizëm dhe thjesht nuk kam ndonjë shpjegim”/
“Për mua demokracia është proces ku duhet të respektohen të drejtat e njeriut dhe ku respektohet rendi dhe ligji. Prandaj unë mendoj se mesazhi për të rinjtë e Ballkanit, të cilëve u kërkohet të angazhohen për reforma në vendet e tyre, është që edhe vet BE të reformohet”, ka thënë von Cramon, raporton “DW”.