Cristiano Ronaldo deklarohet pas dënimit
Komisioni Disiplinor dhe Etik i Federatës së Futbollit të Arabisë Saudite e ka dënuar Cristiano Ronaldon me një ndeshje moslojë dhe me 2 500 euro gjobë.
Ky komision e ka dënuar Ronaldon për shkak të veprimeve që bëri në kundërpërgjigje të tifozëve të Al-Shababit që thërrisnin emrin e Messit.
Kjo ngjarje ndodhi gjatë ndeshjes mes Al-Nassr e Al-Shabab, të cilën e fituan këta të parët me rezultatin 3:2.
Në lidhje me këtë dënim, 39-vjeçari ka thënë se festimi i tillë është normal në Evropë.
“Unë i respektoj të gjitha klubet. Gjesti i gëzimit shpreh forcën dhe fitoren dhe nuk është i turpshëm. Jemi mësuar me të në Evropë”, ka thënë Ronaldo.
Kujtojmë që në përballjen me Al-Shabab, portugezi arriti të shënojë njërin nga tre golat e ekipit të tij.
Për Ronaldon ishte goli i 877-të në karrierë dhe i 22-ti në elitën e futbollit arab.
Me këtë fitore, Al Nassr grumbulloi 52 pikë për pozitën e dytë në tabelë, katër më pak se Al Hilali lider. Në krahun tjetër, ekipi i Al Shabab është i 10-ti me 25 pikë.