Ç’shkruajnë idiotët

28 shkurt 2023 | 08:33

Në trajtesën e botuar në frëngjishte te rubrika Çështja shqiptare ose Buletini (1897, nr. 4), Konica, duke vënë në dukje sërish rolin e shqiptarëve dhe të gjermanëve në Luftën Greko-Turke, ku, siç dihet, grekët e humbën davanë, përmend prejardhjen shqiptare të kryekoman­dantit Ethem Pashës. Por, edhe një herë Konica gjen shkas për ta sulmuar politikën hipokrite dhe antishqiptare të Sulltanit dhe të Perandorisë Osmane. Ja se si reagon: “Pas ngjarjeve të lartpërmendura vini re së bashku me mua miradijen e Sulltan Hamidit; ndërsa s’ua bën qejfin çeder grekëve të Turqisë, ai në të njëjtën kohë do të donte ta farojë kombin shqiptar! Grekët kanë me qindra shkolla dhe kisha që i mbajnë fshatarët shqiptarë, të cilët janë të detyruar të pagu­ajnë taksat kishtare), grekët e përhapin propagandën e tyre nën mbikëqyrjen mbrojtëse të xhandarëve turq, – ndërsa një shqiptari, i cili do të kishte guxim të japë mësim falas fëmijëve shqiptarë, i kërcënohet rreziku që të dënohet me burgim 15 vjeçar! Do të vijë një kohë kur lajmet e kësaj reviste do të lexohen nga ata që do t’i kërkojnë shkaqet e belasë së madhe që shqiptarët ua kurdisën turqëve. Por, tani për tani, do të përmbahemi”.

Trajtesën e përmbyll me disa komente lakonike: “Mirëpo, ngjarja më e rëndësishme e këtij muaji, – vëren ai, – është formimi i një Komiteti për autonomi në Dibër. Kjo është një ndër trevat më të lira të Shqipërisë: atje memurët turq nuk guxojnë të ndihen të gjallë, prandaj askujt s’do t’ia mbajë që t’i kundërvihet hapjes së shkollave shqipe”. Më tutje vijon: “E përkoh­shmja greke kridhet në urrejtje publike, bandat që u paraqitën në Maqedoni janë asgjësuar… Në Shqipëri u themelua një Komitet i fortë, ndërsa idiotët vazhdojnë të shkruajnë gjoja se nuk paska Shqipëri!”.

Marrë nga libri i ribotuar, “Me Konicën në Evropë”, të Abdullah Karjagdiut

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjermania dëshiron të rrisë imigrimin e ekspertëve të teknologjisë nga…