‘Çu puno najsen’, Krasniqi replikon me Kurtin: Thoshit erdhi dita, a dita gati shkoi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në replikë me kryeministrin Albin Kurti,ka akuzuar ministrat e tij se prioritet e kanë lëvdatën ndaj shefit të tyre në vend të punës së tyre në fushat përkatëse.
“Mirë që dole kryeministër se ndonjëherë po fshihesh pas këtyre argatëve tu. Mësoji kapak se nuk kanë nevojë me t’u dëshmuar ty, se po e sheh populli dëshminë e tyre, e s’kanë nevojë ty që të dëshmohen sa lojalë janë se të vetmen garë që e bëjnë këta është se cili po të hy në qejf ty më shumë. Në vend se me bë garë që me qitë diçka në dritë këtë vend, garën e kanë kush po e lëvdon Albinin më shumë”, ka thënë Krasniqi.
Më tutje, Krasniqi ka thënë se greva është problem specifik meqë nuk është vetëm e mësimdhënësve, por edhe e sektorëve të tjerë. Ai ka thënë se disa punëtorë të administratës dalin në punë për shkak të “shantazhit nga Kurti”.
Po ashtu, Kransiqi ka ironizuar edhe me moton e partisë së Kurtit në zgjedhje që e kishte dikur: “Erdhi dita”.
“Thoshit erdhi dita. Kryeministër, dita shkoi gati e ju hala s’e keni filluar punën. Mbrëmja është duke ardhur. Çu puno najsen. Dije që ora katër pasdite është e ju ende asgjë nuk keni bërë asgjë”, ka thënë Krasniqi në Kuvend.