Çuçi: Shpërblim deri në 150 për qind të pagës për policët që punojnë larg vendbanimeve të tyre
Është prezantuar këtë të martë buxheti për Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë për vitin 2022. Ministri i kësaj ministrie, Bledi Çuçi, ka thënë se sfida është me vetvete. Ai është shprehur se vullneti i qeverisë është për të çuar në një nivel tjetër Policinë e Shtetit.
Pavarësisht plagëve të pambyllura të tërmetit e pandemisë dhe krizës energjetike, Çuçi ka thënë se “çdo para e shpenzuar për sigurinë nuk është para e çuar dëm”.
Më tutje, ai është shprehur se po rinovohet trupa policore dhe do të rriten kapacitetet profesionale.
Çuçi ka thënë se fokusi në buxhetin e vitit të ardhshëm do të jetë edhe rritja e pagave të punonjësve që punojnë larg vendbanimeve të tyre dhe rritjen e teknologjisë.
“Policia e Shtetit është më pranë komuniteteve dhe po merr një rol në rritje si një strukturë që menaxhon dhe kontrollon territorin. Për këtë vit kemi parashikuar që punonjësit e policisë që punojnë larg vendbanimit të tyre, do të përfitojnë një shpërblim sipas largësisë ku ata ushtrojnë detyrës, një pagë që shkon deri në 150 për qind të pagës aktuale. Është rritje e konsiderueshme dhe vetëm sot që flasin janë 1 200 punonjës që përfitojnë drejtpërdrejt nga ky bonus. Ky numër ndryshon edhe në varësi të ndryshimeve”, ka thënë Çuçi, duke shtuar se shpërndarja e këtij shpërblimi do të nisë që nga janari i vitit 2022. /tvklan/