Çuditë e fshehura, dhe zbërthimi metafizik (hyjnorë) i figurës legjendare të Adem Jasharit

12 mars 2018 | 12:15

(Fehmi Ajvazi: “Figura e Adem Jasharit”, studim. Botues: “Lena Grafik”. Prishtinë 2018)

Figura e Adem Jasharit, e lindur dhe e ngritur në formë piramide deri në lartësi hyjnore, është tejet komplekse dhe e mbështjellë me shumë dhunti, karakteristika e shenja të mistershme. Duke e cilësuar figurën e Ademit si të vendosur mes dukurive dhe fenomeneve të ndryshme natyrore e mes atyre përtej natyrore, autori Fehmi Ajvazi në këtë libër studimor nuk e shpërfaq vetëm aspektin historik, dokumentar, kulturo – nacional të veprimtarisë dhe të filozofisë atdhetare të Adem Jasharit, por studimin e tij të kësaj figure e bazon edhe te dimensionet etnogjenetike, psikofizike, të personalitetit, tipologjisë, karakterit, të shpirtit dhe të vetive e pasioneve të ndryshme autentike-jetësore.

Sido që të shkruajmë për veprimtarinë e personaliteteve botërore dhe të heronjve kombëtar që lënë gjurmë të pashlyeshme në histori, jeta dhe veprimtaria e tyre, jo vetëm që është e vështirë por edhe e pamundur të përshkruhet detajisht, dhe të vihet në kopertinat e një libri. Duke filluar nga Sokrati i urtë e Skënderbeu trim, nga Spartaku, Zhan D`ark e deri te Mic Sokoli e Azem Bejta, pastaj duke vazhduar me heronjtë mitik si Herkuli e Odiseu, historia shqiptare, por edhe e mbarë njerëzimit, reale dhe e mitizuar, asnjëherë nuk ka njohur një lloj apo tip të heroit nga domeni i sakrificës që mund të krahasohej me shëmbëlltyrën flijuese të familjes Jashari, me theks të veçantë të Adem Jasharit. Prandaj, “jeta, vepra, motivi i sakrificës për liri dhe ndikimi i saj bëjnë që Adem Jashari, t’i tejkaloi përmasat si një figurë vetëm nacionale.” Kështu e përkufizon figurën e komandantit legjendar të UÇK-së, autori i librit studimor “Figura e Adem Jasharit”, z. Fehmi Ajvazi. Teksti studimor i Ajvazit, ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë, pjesë kjo që ka karakter hulumtues, flitet dhe dokumentohet zanafilla e studimit, historia, ngjarjet, proceset, ambienti, demografia etj. Padyshim, edhe familja, në këtë rast ajo e Adem Jasharit. Kjo, ka të bëjë me etnogjenezën, etimologjinë, dhe mbi të gjitha me prejardhjen e subjektit – Ademit. Nga familja “Jashari” e Prekazit, e ka prejardhjen heroi – legjendë, e që është temë e trajtimit studimorë të z. Ajvazi. Si zakonisht, autoktonia shqiptare ka lindë e nxjerrë në histori familje, heronj, e pinjollë të veçuar të luftës për liri.

 

Një pyetje fondamentale: Kush ishte Adem Jashari ?

E këtillë ishte familja Jashari. Jo vetëm Ademi, por e gjithë familja Jashari, “të ndodhur mes dy botëve antagoniste (mes botës së robërisë dhe asaj të lirë)”, nuk janë vetëm simbol i sakrificës shqiptare për  liri e pavarësi, por janë shndërruar në sinonim të drejtave natyrale e ligjore njerëzore. Jasharët, ishin të lidhur me idenë dhe ndjenjën e dashurisë ndaj atdheut, tokës, njerëzve dhe këtë e sintetizuan me idenë e lirisë e të çlirimit që kurrsesi nuk arrihej me mjete politike, por vetëm me mjete ushtarake. Për historinë e Jasharëve, që pandashmërisht është e lidhur me historinë kombëtare të ekzistencës (raison d`etre), përveç që kisha parë disa dokumentarë dhe kisha lexuar disa publikime të shkurtra, asnjëherë nuk kam pasur rastin ta lexoj ndonjë libër biografik, ku do të pasqyrohej ideja, veprimtaria jo vetëm e Ademit por e gjithë familjes së tij deri në gjenezë.

Figura e Adem Jasharit, e ndërtuar dhe e ngritur në formë piramide deri në lartësi hyjnore, është tejet komplekse dhe e mbështjellë me shumë dhunti, karakteristika e shenja të mistershme. Autori, për të ndërtuar një pasqyrë të gjerë – të madhe si mjet figurativ për ta njohur dhe kuptuar më thellësisht tipologjinë e Adem Jasharit, në pjesën e parë rrëfen të dhëna dokumentare lidhur me ngjarjet e rëndësishme, lidhur me prijësit e tyre, të atilla ngjarje që u bënë shkas ndikues në ringjalljen e vetëdijes dhe të rezistencës nacionale në Kosovë. Duke e cilësuar figurën e Ademit s’i të vendosur mes dukurive dhe fenomeneve të ndryshme natyrore e mes atyre përtej natyrore, autori Fehmi Ajvazi në këtë libër studimor nuk e shpërfaq vetëm aspektin historik, dokumentar, kulturo – nacional të veprimtarisë dhe të filozofisë atdhetare të Adem Jasharit, por studimin e tij të kësaj figure e bazon edhe te dimensionet etnogjenetike, psikofizike, të personalitetit, tipologjisë, karakterit, të shpirtit dhe të vetive e pasioneve të ndryshme autentike-jetësore. Meqenëse autori në pjesën e dytë të studimit të tij e cilëson figurën e Adem Jasharit si të ndërtuar dhe të strukturuar në formë piramide deri në lartësi hyjnore, është e padiskutueshme që ne të bindemi nëse “gjykimet dhe konstatimet e tij”, kanë bazë dhe janë të qëndrueshme! Nisur nga kjo dilemë, studimi i z. Ajvazi duhet lexuar me qetësi, me kujdes dhe duke e analizuar sa më shumë e duke e vënë në funksion intelektin tonë, dhe duke u munduar vazhdimisht për t`i kuptuar dhe për t`i lidhë kapitujt e nënkapitujt, ngjarjet, faktet, referencat, krahasimet etj. Pra, a duhet t’i besojmë “gjykimet dhe konstatimet” e Ajvazit ?

Ndërsa i referohemi studimit, strukturës, mënyrës së shkrimit, metodologjive, shembujve dhe referencave të shumta, teorive si dhe bibliografisë së zgjedhur me shumë përkushtim, s’ka dyshim që edhe ne si lexues apo si analizues të tekstit, gjegjësisht të studimit të z. Ajvazi, nuk mund që t`u shmangemi një mori të dhënash dhe faktesh të banueshme, që i japin tekstit kuptim dhe besueshmëri. Vetëm duke u gjendur në një pozicion të këtillë, e kam guximin që në këtë shkrim lidhur me këtë studim të konstatoj se: 1. Ky tekst me karakter teorik-shkencorë, “Figura e Adem Jasharit”, është studim i rrallë në krijimtarinë hulumtuese – shkencore, i cili nuk ngërthen të jetë zhvilluar vetëm në kontekstin e dëshirës apo të vullnetit për të shkruar për këtë figurë polidimensionale – legjendare. 2. Autori, më shumë se gjithçka tjetër, e shpërfaq një pasqyrë të gjerë hulumtimi e studimi për figurën e Ademit në një dimension shumëfish tjetër nga ajo që e kemi parë dhe mësuar deri më tani në tekstet e ndryshme historike e shkencore. 3. Nuk ka asnjë dyshim që në figurën dhe në jetën e tij, pra të Adem Jasharit, autori zbulon, zbërthen dhe sistemon plotë shenja dhe elemente që nuk i kemi ditur dhe as nuk i kemi kuptuar. Dhe këto, janë shenja dhe elemente të dhuntishme të një figure misionare apo të zgjedhur në këtë figurë, kundruall jetës dhe veprës së tij, sa heroike e sublime, po aq edhe të lavdishme e hyjnore!

Ky tekst studimor, i ndarë në dy pjesë, që nuk fillon e as nuk mbaron me historinë dhe kujtesën tonë kolektive, është i mbështetur në trekëndëshin piramidal: “Dita e lindjes, emri dhe mbiemri”! Pra, autori i analizon dhe i zbërthen këto tri “pika” trinome në kuadër të diçkaje aspak rastësore. Ai, edhe e fillon studimin nga këtu!  Dhe pastaj, përgjatë studimit, kushdo që e lexon këtë tekst, e kupton thjeshtë se i jeta dhe vepra e Adem Jasharit, zhvillohet saktësisht mbi bazën e një strukture të sistemuar që, vjen një kohë dhe e tejkalon të natyrshmen – tokësoren! Piramida, zbërthehet kështu: “Dita e lindjes” (28.11.1955), që në figurën e Ademit përfaqëson dhe simbolizon festen kombëtare të Flamurit, që domethënë festën e identitetit sublime të popullit të tij. “Emri”, përfaqëson identitetin njeriut të parë, të krijesës së parë njerëzore – Adamit.  Trinomia piramidale mbyllet me mbiemrin “Jashari”, që në shqip nënkuptohet si “jeton, vazhdon” gjë që, kjo është në sinkron të plotë me jetën dhe veprën e figurës.  Po ashtu, në librin e tij, autori përfshinë edhe ngjarje rrethanore, disa veprime e veprimtari, sjellje dhe rrethana që, ndonëse nuk janë parësore, ato e përbëjnë gjithandej strukturën jetësore të figurës në kontekstin e veprimtarisë dhe të aktivitetit ademian që s’do shumë shpjegim.

Studimi i gjerë dhe kompleks “Figura e Adem Jasharit”, në pjesën e parë pasqyrohet me narracione të autorit lidhur me vagëllimat hulumtuese, me dilemat lidhur me qasjet, mënyrat, mjetet dhe teknikat e hulumtimit të figurës, dhe pastaj me paraqitjen e shenjave të çuditshme të cilat, ndikojnë në ndryshimin e kursit shkrimorë për këtë figurë. Autori, për të mbërri deri te qëllimi i tij, që domethënë deri te e vërteta që e mbështjellë figurën, detyrimisht fillon nga terreni i natyrshëm ideo – kuptimorë, etno-gjeografik, historik, politik etj. Në këtë terren, autori sjell rrëfime, dëshmi, fakte dhe të dhëna e referenca të ndryshme që kanë të bëjnë me atdheun e Adem Jasharit, me familjen Jashari, me Kosovën dhe me viset e tjera shqiptare  gjë që, në kontekst, pjesa e parë e këtij studimi është një “informacion” jashtëzakonisht strategjik për të pasur mundësi ideo-praktike në absorbimin njohës, të gjithanshëm të figurës së Adem Jasharit. Në këtë aspekt, etnogjeneza, historia, identitetit, zakonet, kultura etj., janë kategori psiko-gjenetike dhe socio-kulturore që ndikojnë në formësimin dhe edukimin atdhetar të njeriut, në këtë rast të Adem Jasharit.

Një studim platonik mbi një figurë të veçantë – unike

Siç thamë edhe më sipër, studimi i z. Ajvazi, në pjesën e parë përfshinë një kronologji ngjarjesh që nuk janë vetëm historike, por edhe analitike, letrare dhe simbolikisht, edhe personale. Këtu hyjnë, përshkrimet e ndjeshme autoriale si plagë dhe kujtim individual dhe kolektiv të sulmit të parë të policisë serbe në familjen Jashari, të sulmit të dytë, e deri te sulmi i i tretë, apo deri te ngjarja sakrifikuese – flijuese e cila, qe tronditëse jo vetëm në përmasa nacionale, por edhe ndërkombëtare! Nëpërmjet rrëfimeve të familjarëve dhe fakteve dokumentare, autori tregon për shkallën e gjendjes në të cilën u ndodhën shqiptarët në Kosovë, ashtu si edhe familja Jashari përgjatë shekullit XX-të. Në librin e tij studimorë, autori përfshinë ngjarjet, veprimet dhe veprimtaritë e ndryshme, të rëndësishme e të paharruara që lënë gjurmë ndër breza, për aktoret e kohërave mbi bazën e të cilave, u ndërtua historia më e re e Kosovës, dhe jo vetëm e saj.

Shpërfaqja e trimërisë dhe e sakrificës së familjes Jashari, nuk është e shkëputur nga figura, dhe autori i kushton kujdes të posaçëm këtyre karakteristika në personalitetin dhe karakterin e heroit. S’i rrallë në historinë njerëzore, ndodhin ngjarje përngjasuese si epopeja e Jasharëve. Prandaj, sipas konstatimeve të autorit të nxjerra nga thelbi studiues, në përmasat unike të sakrificës – flijimit të Jasharëve në krye me Ademin, nuk gjejmë askund  shembull  në historinë e civilizimit njerëzorë.

E veçanta, flijimi, universaliteti i figurës së Ademit, studiohet me përkushtim dhe në thellësi nga autori. Teksti, përgjatë leximit na krijon përshtypje të rralla sepse, shquhet me zbërthime dhe referenca që janë pjesë të hulumtimit. Autori, na sjellë elemente tipike shkencore, shembuj krahasues, referenca të ndryshme të lindura dhe të etabluara në figurën e Ademit, mbase të panjohura dhe unike në gjendjen dhe në përmbajtjen e tyre. Duke konstatuar se thelbi i betejës së Prekazit, fabula e tij, mesazhi kishin diçka të fshehtë, të mistershme dhe përtej të natyrshmes, përveç aspektit kronologjik e historik, autori në pjesën e dytë “Figura e Adem Jasharit”, e hulumton aspektin hyjnor-metafizik të subjektit në studim.

Dihet se njerëzit, individualisht dhe kolektivisht qysh nga kohërat e lashta e kanë identifikuar këtë dhunti apo këtë gamë të jashtë botshme, duke i kushtuar vëmendje të madhe! Ata, historikisht e kanë shprehur “idenë e tyre hyjnore” në identitete, në simbole, në shkëmbinj, në tempuj, në kode ligjore, tekste të pashkruara e të shkruara, apo edhe në njerëz, figura, emra etj. Autori i këtij studimi, Fehmi Ajvazi,  ndikimin dhe fuqinë hyjnore e sheh me kujdes dhe me përshpirtje te personaliteti, te karakteri dhe te dhuntitë  e ndryshme të Adem Jasharit. Ky tekst studimor prandaj, fillimisht i nisur mbi një strukturë sa historike, po aq edhe letrare, dhe sa dokumentare po aq edhe publicistike, zhvillohet me fuqi ideo-studimore (domosdoshmërish) mbi patosin shkencorë, pra duke iu përmbajtur me përgjegjësi shpjegimeve, mjeteve, krahasimeve, metodologjive etj., mbi të cilat, zhvillohet një projekt i këtillë. Përgjithësisht, duke e lexuar ngadalë këtë studim, e shohim se si, z. Ajvazi pasqyron, zbërthen dhe argumenton çdo gjë të mundshme ndikuese, krahasuese, përngjasuese që buron dhe që lidhet me strukturën e çuditshme dhe të pa përngjasueshme ademiane. Analizon shenjat, elementet në figurë, tipologjinë a Ademit (që e kalon formatin e natyrshëm njerëzor), etnogjenezën, etnopsikologjinë, e po ashtu edhe vetëdijen, karakterin, vetitë, dhuntitë etj.  Dhe, jo rastësisht, e shtron pyetjen kryesore: Kush ishte Adem Jashari?

Ky studim, është përgatitur për botim nga dr. Bujar Dugolli, dr. Sulejman Abazi dhe dr. Sevdail Demiri. I shkruar me një teknikë të veçuar, sa të thjeshtë dhe të qartë, po aq edhe të ndërlikuar e shkencore nga pikëpamja e zbërthimit të gjerë e të thellë të figurës së Adem Jasharit, them që duhet lexuar me laps në dorë. Studimi, është jashtëzakonisht befasues, e për mendimin tim, platonik! Njohja dhe zbërthimi i figurës së Adem Jasharit, tek tash mund të fillohet.

Mirsad Dakaj

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bërë me dije se…