CURRICULUM VITAE

21 gusht 2019 | 12:31

 ADEM GASHI

 CURRICULUM VITAE

shtatë muej mbas dekës së Stalinit kam lé
që i bjen me njimij e nandqind e pesëdhetetre,
ka kèn tetor, e nana ma mbështjellke dishka me sh’mitër,
ndoshta lodh mërziet
qi lëshu e kish n’dhé nji tjetër Adem, dy vjet ma parë
tue rue me mall emnin me mâ dhân

me e mat me t’sodit, krejt-krejt njizet n’katun i kam lân,
në Nekoc t’Gllogocit, se m’vjen shtírë me thân
prej Dreníce,
për hallin tem âsht barrë e rând

m’gjeti n’Prishtinë demonstrata e gjashtëdhjetetetës,
mixha Jashar thojke: ke ra n’kryeshehër,
si për inat
kisha lexuar gjithë shkrimtarët shqiptarë
e i hyra standardit letrar të bëhesha shkrimtar i madh
se si çun i vogël vashat nuk ma varnin
…e rrodhi koha lumë, e ndërroi shekull e milenium…
e ndërrova edhe vetë
si të ngarkoja e shkarkoja një mal me gurë
derisa i mbusha gjashtëdhjetë
lexova me ngulm shkrimtarët e botës

burgun, marrëzitë e të tjerat i vura në arka prej letre
në shkronja e fjalë

tash ngjitem rrugës “Agim Ramadani”
(që ishte i prerë të bëhej monument lirie në Koshare)
e kthehem tjetrës, “Enver Maloku”
(e shoku, mban mend në fakultet
kur diplomuam përnjëherë, në të njëjtën ditë,
e nuk lamë ditë pa polemikë
për atdheun,
për lirinë e artet e letërsinë!?)

ja dhe Kodra e Diellit
në të djathtë një pirg me dritë, ku ra Afrimi me Fahri-në
e sosi tek blloku i gjashtë, në Rrugën “Vëllezërit Gërvalla”,
kërrusur nga kujtimet deri në katin e tretë

e dal në ballkon si në bregoren e fëmijërisë
e ia kris
gaz e lot sa më zë gurmazi e syri

në vend të gurëve mbi çatitë e lagjes
hedh habitoren: sa i desha, sa i dua gratë!
(me i dashtë s’është e thënë edhe me i pas…)

S’KAM SHPËTIM NGA SHIGJETA JOTE

s’di në ç’betejë më ra
mburoja prej tunxhi
ma morën a më humbi

tunika m’u gris kaska m’u ça
e parzmorja e brinjëve m’u hap
hapekrah

unë akili nuk jam
ç’më shikon në thembër

tani mos prit
shkreh harkun e vetullës
drejt e në zemër

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kampionia e Kosovës në futboll, Drita e ka prezantuar transferin…