Curry: Lojërat Olimpike janë më shumë se basketboll
Kombëtarja amerikane e basketbollit siguroi kualifikimin në çerekfinalet e Olimpiadës pas fitores ndaj Sudanit Jugor, me dy fitore në po kaq ndeshje të luajtura.
Ndërkohë që, kombëtarja e “Dream Team” ka ende edhe një sfidë për të luajtur në Porto Rikos, që është një formalitet për yjet e NBA-së. Për herë të parë merr pjesë në një Olimpiadë ylli i basketbollit Stephen Curry, 4 tituj kampionë në NBA me Golden State Warriors. Çdo ditë qindra admirues dhe gjuetarë autografesh mblidhen për të takuar yjet e kombëtares së trajnerit Steve Kerr, që synon të fitojë medaljen e artë olimpike në “Paris 2024”.
Në karrierën e tij të pabesueshme ai fitoi gjithçka, vendosi rekorde që do të zgjasin dhe në një farë mënyre ndryshoi lojën e basketbollit. Një medalje në Lojërat Olimpike është e vetmja gjë që i mungon 36-vjeçarit.
“E kisha pritur me vite këtë moment. Lojërat Olimpike janë shumë më tepër se sa thjesht basketboll”, ka thënë Curry. “Ndjej përgjegjësinë dhe krenarinë për të luajtur me shokë të jashtëzakonshëm. Është një mundësi që nuk do të përsëritet më. Për mua është kënaqësi që rikthehem në kombëtare. Para ndeshjes kundër Serbisë isha pak nervoz, më pas e dëgjova himnin dhe ishte i bukur”, u shpreh Stephen Curry për mediat. “Ndoshta do të jetë eksperienca ime e vetme në Olimpiadë, prandaj dua medaljen e artë. E di që nuk do të jetë një shëtitje në park, pasi këtu janë ekipe kombëtare të gatshme, me plot lojtarë të mëdhenj. Ne duhet të krijojmë diçka së bashku dhe nuk kemi një vit për ta bërë atë, por vetëm disa ditë”, ka deklaruar Curry.